Sot filloi procesi i lëshimit të troftës së Ohrit në Liqenin e Ohrit. Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, së bashku me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë dhe Institutit Hidrobiologjik të Ohrit, mori pjesë në fazën e parë të lëshimit të troftave në liqen.
Në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Institutit Hidrobiologjik të Ohrit, në këtë fazë është paraparë lëshimi i 100 mijë njësive të troftës së Ohrit, të prodhuara nga shumimi artificial i vitit 2025.
Troftat që lëshohen në këtë fazë kanë peshë mesatare prej rreth 16 gramësh, ndërsa procesi filloi sot dhe do të vazhdojë gjatë 5 deri në 6 ditëve në vijim.
Lëshimi realizohet në lokalitetet Tërpejcë, Peshtan, Radozhdë, Kalishtë, Ohër dhe Strugë. Bëhet fjalë për lokalitetet prej të cilave gjatë vitit 2025 janë marrë individët riprodhues nga popullata natyrore e Liqenit të Ohrit, prej të cilëve është siguruar materiali riprodhues për shumimin artificial.
Me realizimin e kësaj faze, Instituti Hidrobiologjik i Ohrit përmbush obligimin e marrë përsipër në kuadër të marrëveshjes me Ministrinë për lëshimin e troftave të prodhuara nga shumimi artificial i vitit 2025.
I gjithë procesi realizohet nën mbikëqyrjen e institucioneve kompetente, me praninë e inspektorit të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë dhe inspektorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Procesi do të vazhdojë edhe gjatë muajit shtator. Atëherë do të fillojë lëshimi i rreth 1.5 milionë njësive të troftës së Ohrit, të prodhuara në Institutin Hidrobiologjik nga shumimi artificial i vitit 2026. Kjo fazë pritet të zgjasë rreth tri javë.
Nëpërmjet dy fazave, në Liqenin e Ohrit do të lëshohen gjithsej rreth 1.6 milionë trofta të Ohrit, si pjesë e aktiviteteve për ripërtëritjen dhe ruajtjen e popullatës së kësaj specieje karakteristike dhe me rëndësi të veçantë për biodiversitetin e Liqenit të Ohrit.
Ministria, në bashkëpunim me institucionet shkencore dhe inspektuese kompetente, do të vazhdojë aktivitetet për mbrojtjen dhe ripërtëritjen e popullatës së troftës së Ohrit dhe ruajtjen e biodiversitetit të Liqenit të Ohrit.