Ministri Serafimovski nënshkroi shtatë kontrata për promovimin e produkteve vendore dhe zhvillimin e zonave rurale

Ministri Serafimovski nënshkroi shtatë kontrata për promovimin e produkteve vendore dhe zhvillimin e zonave rurale

Shtatë manifestime lokale kushtuar ushqimit vendas, prodhimit bujqësor, gruas rurale, kooperativave bujqësore, vreshtarisë dhe traditave lokale do të realizohen me mbështetje financiare nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Kontratat për mbështetje teknike për organizimin e manifestimeve lokale dhe panaireve në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural u nënshkruan sot nga ministri Borçe Serafimovski, ndërsa vlera e tyre e përgjithshme është 1.048.509 denarë.

Mjetet janë ndarë pas një thirrjeje publike, në të cilën u dorëzuan 26 propozime. Pas përfundimit të kontrollit administrativ dhe procedurës së përzgjedhjes, shtatë nga manifestimet e propozuara i plotësuan kushtet e përcaktuara për të përfituar mbështetje teknike.

“Prodhimi vendas nuk forcohet vetëm duke rritur sasinë e prodhimit. Është e rëndësishme që produkti të njihet, të vlerësohet siç duhet dhe të gjejë rrugën e tij deri te konsumatorët. Manifestimet dhe panairet lokale krijojnë pikërisht këtë lidhje, duke i afruar prodhuesit me blerësit, duke mundësuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe duke sjellë energji të re ekonomike në zonat rurale”, deklaroi ministri Serafimovski gjatë nënshkrimit të kontratave.

Mbështetje për organizimin e manifestimeve morën:

* Shoqata për Zhvillim Rural dhe Rajonal “Blesok” nga Radovishi, për manifestimin “Nga kokrra te buka”;

* Kooperativa Bujqësore “Sharri” nga Tetova, për “Dita e Kooperativave 2026”;

* Shoqata e Bujqve “Bujqësia Bashkëkohore” nga Manastiri, për “Gruaja rurale – forca e Pellagonisë”;

* Shoqata për Mbrojtje, Promovim dhe Edukim për Ushqimin “Slow Food Vodno” nga Shkupi, për manifestimin “Ushqim për të gjithë”;

* Shoqata për Kultivimin dhe Zhvillimin e Kulturës së Verës, Turizmit Veror dhe Produkteve të Rrushit “Vinotek” nga Kavadari, për “Tikveshia – hardhi pjellore dhe fisnike 2026”;

* Shoqata “Slow Food Prilep” nga Prilepi, për manifestimin “Rrënjët dhe tryeza – gruaja rurale sot”;

* Komuna e Kratovës, për manifestimin “Kompiriada 2026”.

Me mbështetjen e këtij lloji të manifestimeve, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave vazhdon të krijojë mundësi që produktet bujqësore vendore të arrijnë te një numër më i madh konsumatorësh, ndërsa zonat rurale të shfrytëzojnë në masë më të madhe potencialet e tyre prodhuese, turistike dhe ekonomike.

Accessibility Menu