Njoftim për kujdes të shtuar

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar me qëllim të parandalimit të zjarreve në hapësira të hapura.

Ministria rikujton opinionin se, gjatë periudhës në vijim, për shkak të temperaturave të larta që rrisin rrezikun nga zjarret në hapësira të hapura, është me rëndësi thelbësore që qytetarët të jenë të vetëdijshëm për rreziqet dhe pasojat e tyre, si dhe me sjelljen e tyre të kontribuojnë në mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve, mjedisit jetësor, pronës dhe komunitetit në tërësi.

## E RËNDËSISHME

* Personat që kryejnë aktivitete në sipërfaqe bujqësore, si dhe blegtorët, duhet të tregojnë kujdes të veçantë gjatë punës për të shmangur djegien e pakontrolluar të tokave bujqësore dhe kullotave. Djegia e tyre është rreptësisht e ndaluar me ligj dhe përbën vepër të dënueshme.

* Rreziqe serioze – zjarret në hapësira të hapura rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin jetësor.

* Pasoja ligjore – shkaktimi i zjarrit në hapësira të hapura është vepër e dënueshme sipas ligjit.

* Reagimi i shpejtë është vendimtar – për parandalimin e përhapjes së zjarreve me përmasa të mëdha, qytetarët që vërejnë zjarr duhet të njoftojnë menjëherë në numrin emergjent 112.

## Këshilla për siguri

* Shmangni ndezjen e çdo lloj zjarri gjatë periudhave me erë të fortë ose mot të thatë.

* Përdorni metoda më të sigurta për pastrimin e tokës dhe largimin e materialeve të djegshme.

Ministria i inkurajon të gjithë qytetarët të qëndrojnë të informuar dhe të ndërmarrin masa parandaluese për të shmangur zjarret në hapësira të hapura.

Njëkohësisht, Ministria rikujton se, për shkak të temperaturave të larta dhe krijimit të kushteve të favorshme për përhapjen e zjarreve, nga data 1 korrik 2026 hyn në fuqi ndalimi i plotë i lëvizjes në pyje.

Për këtë qëllim, qytetarët ftohen të ndjekin dhe t'i bashkohen Programit për Menaxhimin e Zjarreve në Nivel Peizazhi (Landscape Fire Management – LFMWB), në të cilin Ministria është institucion partner dhe merr pjesë aktive në zbatimin e aktiviteteve dhe masave të përcaktuara, me fokus në parandalimin dhe gatishmërinë për menaxhimin e zjarreve.

Duke vepruar së bashku, mund ta zvogëlojmë rrezikun dhe të mbrojmë shtëpitë, pronën, pyjet dhe mjedisin tonë jetësor.

Accessibility Menu