Lidhur me konferencën e sotme për media të Shoqatës së mbarështuesve të deleve dhe apelin e bërë për ndërmarrjen e masave urgjente kundër përhapjes së lisë te delet dhe dhitë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave informon opinionin se, në koordinim me Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), vazhdimisht e ndjek situatën epidemiologjike.
Ministri Borçe Serafimovski dhe drejtori i AUV-së, Oliver Millanov, janë në koordinim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë, ndërsa shërbimet kompetente çdo ditë analizojnë të dhënat nga rajonet e prekura, efektet e masave të zbatuara dhe nevojën për ndërmarrjen e masave shtesë.
Sistemi për zbulimin e hershëm dhe luftimin e sëmundjes zbatohet përmes shoqërive veterinare me të cilat AUV-ja ka lidhur marrëveshje për kryerjen e aktiviteteve me interes publik. Pas çdo raportimi për një rast të dyshimtë, veterinerët zyrtarë marrin mostra gjaku dhe strisho nga kafshët dhe i dërgojnë për analiza laboratorike.
Nëse konfirmohet prania e virusit, drejtori i AUV-së nxjerr vendim me të cilin përcaktohen masat e kontrollit dhe mbrojtjes në fermën e prekur, duke përfshirë edhe eutanazinë e kafshëve dhe asgjësimin e tyre në mënyrë të sigurt, përmes groposjes në një lokacion të miratuar.
Paralelisht me zbatimin e masave të kontrollit, nga Republika e Turqisë janë siguruar 500.000 doza vaksine si donacion, të cilat pritet të arrijnë gjatë këtyre ditëve. Gjithashtu, Komisionit Evropian i është dërguar kërkesë për sasi shtesë vaksinash.
Grupi i ekspertëve pranë AUV-së mblidhet rregullisht, shqyrton situatën epidemiologjike dhe përcakton masat e mëtejshme për kufizimin e sëmundjes. Është kërkuar sërish edhe mbështetje profesionale nga ekipi EUVET i Komisionit Evropian.
Para përdorimit, vaksinat do t’i nënshtrohen detyrimisht analizave laboratorike për sigurinë dhe pastërtinë e tyre. Vaksinimi do të fillojë vetëm pas konfirmimit të rezultateve, sipas një plani zyrtar dhe nën kontrollin e AUV-së.
Ministria dhe AUV-ja i paralajmërojnë blegtorët se blerja dhe përdorimi i pavarur i vaksinave, me shpenzimet e tyre dhe pa miratim paraprak nga Agjencia, do të sanksionohet në përputhje me dispozitat në fuqi.
Në një rast të tillë, pronari nuk do të ketë të drejtë për kompensim për kafshët e sëmura dhe as për dëmshpërblim për kafshët e konfiskuara për shkak të luftimit dhe çrrënjosjes së sëmundjes.
Përdorimi i pakontrolluar i vaksinave mund ta vështirësojë monitorimin epidemiologjik, ta ulë efektivitetin e masave të ndërmarra dhe të krijojë rrezik shtesë për tufat.
Për këtë arsye, vaksinimin mund ta kryejnë vetëm shërbimet veterinare të autorizuara, sipas një plani zyrtar dhe nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të AUV-së.