Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, mori pjesë sot në ceremoninë solemne për vënien në funksion të Sistemit të Integruar Informativ për Pyje (IFIS), i cili shënon një pikë historike kthese në procesin e digjitalizimit të sektorit pyjor të Maqedonisë.
Gjatë ngjarjes, ministri theksoi se sistemi IFIS paraqet fundin e proceseve të vjetruara që bazoheshin në letër.
“Kjo shënon një ndryshim të rëndësishëm nga proceset e vjetruara të bazuara në letër drejt një qasjeje plotësisht digjitale të mbështetur në të dhëna. Me IFIS po ndërtojmë një sistem më të përgjegjshëm për pylltari,” deklaroi ministri Tripunovski.
Sistemi IFIS, që është pjesë e një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, shërben për ndjekjen e qarkullimit të drurit, monitorimin e zjarreve pyjore, hartëzimin e biodiversitetit dhe mbështetjen e planifikimit efikas të pyjeve.
“Ky projekt është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët e Qeverisë me Bashkimin Evropian për të ndërtuar një sektor pyjor modern, transparent, të harmonizuar me standardet e BE-së dhe të qëndrueshëm për gjeneratat e ardhshme,” theksoi ministri.
“Si ministër, ju siguroj se Ministria do të vazhdojë ta çojë këtë proces përpara – në partneritet me ekspertë dhe institucione, për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë, konkurrueshmëri dhe besueshmëri të sektorit pyjor. Procesi i reformave vazhdon,” përfundoi ai.
Ministri shprehu mirënjohje ndaj Delegacionit të BE-së, ekipeve të Ministrisë, sektorit të Pylltarisë dhe Gjuetisë, NP “Pyjet Nacionale” dhe të gjitha institucioneve të përfshira për rolin e tyre në këtë proces reformues.