Tripunovski: Nuk ka nevojë për shqetësim te bujqit, po kontrollojmë rreth 50 kontrata, do ta informojmë Brukselin për rezultatin

Tripunovski: Nuk ka nevojë për shqetësim te bujqit, po kontrollojmë rreth 50 kontrata, do ta informojmë Brukselin për rezultatin

“Menjëherë pas aksionit që ndodhi të enjten, ku u arrestuan disa persona, përfshirë edhe drejtorin, mekanizmi ynë kombëtar është që të ndalojmë një pjesë të pagesave të fondeve IPARD. Kjo është reagimi ynë i shpejtë për të kontrolluar se çfarë realisht ka ndodhur në vetë Agjencinë”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në një intervistë për televizionin Kanal 5.

 

Tripunovski thotë se Brukseli e ka përshëndetur reagimin e shpejtë të Qeverisë për të hetuar çfarë saktësisht ka ndodhur në Agjencinë e Pagesave.

 

“E gjitha është komunikuar me Brukselin dhe prej andej kanë dhënë një vlerësim pozitiv për reagimin e shpejtë. Me këtë reagim tonin, do të parandalojmë pasoja të tjera të padëshiruara. Ajo që ne si shtet do ta realizojmë gjatë kontrollimeve, do t’i dërgohet Brukselit si raport, në mënyrë që të konstatohet se çfarë ka ndodhur”, shpjegoi ai.

 

Ministri Tripunovski theksoi se bëhet fjalë për sjellje devijante të njërit prej të punësuarve, e jo për problem të sistemit.

 

Ai shtoi se Agjencia është e ndarë në dy struktura: njëra trajton pagesat kombëtare, përkatësisht subvencionet, ndërsa tjetra ka të bëjë me realizimin e fondeve IPARD. Pjesa e dytë aktualisht është nën kontroll kombëtar.

 

Ministri Tripunovski potencoi se nuk ka nevojë për shqetësim te bujqit, sepse kontrolli po kryhet vetëm mbi rreth 50 kontrata, e jo mbi 450, siç pretendon opozita.

 

“Pagesat e subvencioneve do të vazhdojnë rregullisht, bujqit nuk duhet të shqetësohen”, deklaroi Tripunovski dhe shtoi:

 

“Në fjalë janë rreth 50 lëndë që kanë mbetur për t’u përfunduar nga thirrjet e mëparshme, e jo mbi 450 aplikantë, siç po përhap opozita.”

 

Tripunovski theksoi se në seancën e fundit të Qeverisë është emëruar edhe një drejtor i ri i Agjencisë.

 

“Gjithashtu ajo që është e rëndësishme, në seancën e fundit të Qeverisë kemi emëruar një drejtor të ri të institucionit, i cili normalisht do ta udhëheqë procesin nga brenda që të mos ketë bllokime serioze”, shtoi ai.

 

Sa i përket pyetjes nëse ekziston rrezik nga shtyrja e afateve nëse OLAF përfshihet në hetim, Tripunovski informoi:

 

“Ne jemi dëshmitarë se vitet e fundit OLAF ka qenë prezent në Agjencinë e Pagesave, ata vijnë pa paralajmërim dhe pa njoftime paraprake. Aktualisht, masat që kemi ndërmarrë si institucion, në përputhje me kompetencat tona, janë përshëndetur pozitivisht nga Brukseli. A do të vijë OLAF, nuk e di, megjithatë detyrimi ynë është që ta realizojmë hetimin dhe t’i dërgojmë Brukselit një raport të përmbledhur me të gjitha konstatimet, dhe mendoj se menjëherë pas kësaj do të vazhdojmë me punën normale.”

Accessibility Menu