Sot, në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ministri Cvetan Tripunovski, së bashku me drejtorin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Milanov, zhvilluan takim me mbarështuesit e deleve.
Në takim u diskutua për gjendjen aktuale epidemiologjike lidhur me sëmundjen e lisë tek delet dhe dhitë në komunën e Likovës, rajoni i Kumanovës.
Me qëllim parandalimin e vatrave të reja në territorin e shtetit, është e domosdoshme që mbarështuesit e deleve t’u përmbahen masave të përcaktuara kontrolluese dhe mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së sëmundjes, të miratuara nga Agjencia, ndërsa lëvizja e kafshëve të bëhet vetëm me certifikatë veterinare-shëndetësore të lëshuar nga shoqëria përkatëse veterinare. Nëse blegtorët vërejnë simptoma apo ndryshime të papritura tek kafshët, përfshirë edhe rritje të ngordhjeve, duhet të njoftojnë menjëherë shoqëritë veterinare dhe Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.
Institucionet kompetente po zbatojnë masa kontrolli dhe mbrojtjeje në zonën mbrojtëse me rreze prej 3 kilometrash dhe në zonën nën mbikëqyrje me rreze prej 10 kilometrash rreth fermave ku është konfirmuar sëmundja, me qëllim informimin në kohë të blegtorëve për paraqitjen dhe përhapjen e saj.
Gjithashtu, në takim u theksua se eksporti i mishit të qengjit, produkteve nga mishi i qengjit dhe produkteve të qumështit të përfituara nga qumështi i deles, të cilat i janë nënshtruar procesit të pasterizimit, nuk është vënë në pikëpyetje. Lëvizja e kafshëve nga fermat drejt kapaciteteve therrëse nuk është e ndaluar, ndërsa në fuqi mbeten kufizimet për lëvizjen e kafshëve të gjalla dhe për funksionimin e tregjeve të bagëtive.Në varësi të zhvillimit të situatës epidemiologjike në terren, pritet që nga mesi i muajit të ardhshëm të miratohen masa të reja mbrojtëse dhe kontrolluese për përballimin e sëmundjes.