Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, realizoi sot një vizitë në rajonin e Pollogut, në fermën e blegtorit Gazmend Sejdia, për të parë nga afër gjendjen në sektorin e blegtorisë, me theks të veçantë te rritja e dhenve. Gjatë vizitës u theksua rëndësia e këtij sektori për ekonominë, prodhimin vendor dhe jetën në zonat rurale. Zëvendësministri Hoxha nënvizoi se mbështetja institucionale po jep rezultate konkrete në terren, përmes pagesave direkte të realizuara në kohë, shlyerjes së detyrimeve të prapambetura dhe rritjes së subvencioneve për krerë dele. “Jam sot në Pollog, në fermën e z. Gazmend Sejdia, për të parë nga afër punën dhe përkushtimin e fermerëve që mbajnë gjallë blegtorinë, veçanërisht rritjen e dhenve. Ky sektor ka rol të rëndësishëm në ekonomi, në prodhimin vendor dhe në ruajtjen e traditës sonë rurale. Mbështetja që kemi dhënë po jep rezultate konkrete, me pagesa të realizuara, detyrime të shlyera dhe rritje të numrit të dhenve në dy vitet e fundit. Do të vazhdojmë me masa konkrete në mbështetje të fermerëve dhe prodhimit vendor”, deklaroi Hoxha. Si rezultat i politikave dhe masave të ndërmarra, është ndalur rënia e numrit të dhenve në nivel shtetëror dhe në dy vitet e fundit është shënuar rritje, si në numrin e krerëve ashtu edhe në prodhimin e qumështit të deles.