Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Albrim Hoxha, po merr pjesë në Sesionin e 35-të të Konferencës Rajonale për Evropë dhe Azi Qendrore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), e cila po mbahet në Taxhikistan.
Konferenca Rajonale e FAO-s paraqet një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit rural, ku marrin pjesë ministra, zëvendësministra, përfaqësues të lartë qeveritarë, ekspertë dhe partnerë zhvillimorë nga vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore.
Në fokus të diskutimeve janë politikat moderne agro-ushqimore, përballja me ndryshimet klimatike, mbrojtja e biodiversitetit, transformimi digjital i sektorit agro-ushqimor, si dhe forcimi i qëndrueshmërisë së sistemeve bujqësore dhe sigurisë ushqimore.
Gjatë sesioneve të konferencës, zëvendësministri Hoxha po merr pjesë në diskutime të nivelit të lartë kushtuar zhvillimit rural, inovacionit në bujqësi dhe avancimit të bashkëpunimit rajonal në sektorin agro-ushqimor.
Në kuadër të punimeve të konferencës, zëvendësministri Hoxha është zgjedhur edhe nënkryetar (Vice Chair) i konferencës, duke përfaqësuar Republikën e Maqedonisë së Veriut në strukturat drejtuese të këtij forumi rajonal.
Në margjinat e konferencës janë planifikuar edhe takime bilaterale me përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse dhe drejtues të FAO-s, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.