Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, realizoi një vizitë në disa ferma të fshatrave Rakovec, Pirok dhe Sedllarcë e Epërme të Komunës së Bogovinës, ku u takua me fermerë që merren me blegtori dhe prodhimin e patateve.
Gjatë vizitës, Zëvendësministri Hoxha u njoh nga afër me aktivitetet bujqësore, sfidat dhe nevojat e fermerëve lokalë, duke theksuar përkushtimin e Ministrisë për t’i mbështetur ata në rritjen e prodhimit vendor dhe forcimin e ekonomisë rurale.
“Përkushtim, motivim, sukses dhe ndershmëri këto janë vlerat që pashë sot te fermerët e Bogovinës dhe fshatrave përreth. Secila fermë tregon një histori të veçantë pune të palodhur dhe përkushtimi ndaj tokës dhe kafshëve. Synojmë të ofrojmë mbështetje reale për fermerët dhe të zhvillojmë bujqësinë lokale, duke i kthyer këto histori suksesi në shembuj të një të ardhmeje më të mirë për gjithë komunitetin”, theksoi Zëvendësministri Hoxha.