Zëvendësministri, Flakron Bexheti, po merr pjesë në konferencën e nivelit të lartë “BIOEAST and Beyond,” e cila zhvillohet nga data 4 deri më 6 dhjetor 2024 në Budapest, Hungari. Kjo ngjarje e rëndësishme, e organizuar nga Presidenca Hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Ministria e Bujqësisë e Hungarisë, është përqendruar në prioritetet kërkimore dhe inovative, duke trajtuar çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë e sistemit ushqimor dhe bioekonominë në bujqësi.
Gjatë fjalës së tij, zëvendësministri Bexheti theksoi rëndësinë e transformimit të sistemeve ushqimore përballë sfidave të ndryshimeve klimatike. Ai vuri në pah ndikimin në rritje të këtyre ndryshimeve në bujqësi dhe theksoi rolin kyç të kërkimeve dhe inovacioneve në krijimin e sistemeve të qëndrueshme bujqësore. Po ashtu, zëvendësministri nënvizoi domosdoshmërinë e investimeve në teknologji moderne për të përballuar sfidat aktuale dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për sektorin bujqësor.
Ngjarja “BIOEAST and Beyond” është një platformë unike për shkëmbimin e ideve dhe për të bashkërenduar veprimet e ardhshme për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe bioekonomisë në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore.