Sot në Tetovë u mbajt Dita Informuese për Thirrjen Publike të Masës 1 të Programit IPARD III 2021-2027, një mundësi e rëndësishme financimi për bujqit dhe ndërmarrjet e sektorit bujqësor. Aktiviteti u hap nga Zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti, në bashkëpunim me zëvendësdrejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Mevlan Morina.
Ky program sjell një mbështetje financiare prej 7.4 milionë euro, duke synuar të ndihmojë ekonomitë bujqësore, fermerët individualë, kooperativat dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në modernizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre prodhuese.
Sipas zëvendësministrit Bexheti, ky financim është një hap kyç për modernizimin e sektorit bujqësor, duke mbështetur prodhimin bimor e blegtoral, peshkimin, përpunimin dhe marketingun e produkteve bujqësore, si dhe prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme.
Thirrja për aplikime është e hapur deri më 29 mars 2025, duke u ofruar të gjithë të interesuarve mundësinë për të përfituar nga kjo mbështetje financiare për investime në bujqësi.
“Inkurajoj të gjithë fermerët dhe sipërmarrësit e sektorit bujqësor të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për zhvillimin dhe modernizimin e veprimtarive të tyre,” – theksoi Zëvendësministri Bexheti.