Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, gjatë këtyre dy ditëve po merr pjesë në Forumin për Politikë Bujqësore (APF) me temë: “Drejt integrimit në BE dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike në bujqësi: sigurimi i së ardhmes për bujqit dhe ushqimin tonë në Evropën Juglindore”, që po mbahet në Ohër.
APF 2025 organizohet nga Grupi i Përhershëm i Punës për Zhvillim Rural Rajonal (SWG) në Evropën Juglindore, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Në Forum u diskutua për sfidat kryesore me të cilat përballet sektori bujqësor në rajon. Pjesëmarrësit trajtuan temën e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në bujqësinë e Ballkanit Perëndimor, të ardhmen e prodhimit blegtoral në rajon, si dhe mënyrat e përgjigjes ndaj pasojave klimatike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua shfrytëzimit të potencialit të agro-fotovoltaikëve për një bujqësi të qëndrueshme ndaj klimës, si dhe zbatimit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, përfshirë përditësimet në proceset ekzistuese dhe sfidat e ardhshme.
Në fjalimin e tij, Sekretari Shtetëror Serafimovski theksoi se pjesëmarrja e Maqedonisë në Forum konfirmon përkushtimin për modernizimin e sektorit bujqësor. Sipas tij, Forumi mundëson shkëmbim të përvojave mes vendeve të rajonit për përballjen me sfidat e ndryshimeve klimatike.
“Hulumtimi dhe inovacioni janë thelbësorë për përballimin e ndryshimeve klimatike. Duke i dhënë përparësi kërkimit në bujqësi, mund t’i zbusim efektet e tyre, të ndërtojmë qëndrueshmëri dhe të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme e të sigurt për gjeneratat e ardhshme. Nevoja për inovacion nuk ka qenë kurrë më e qartë”, theksoi ai.