Zëvendësministri Albrim Hoxha, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Ekonominë e Ujërave, Romeo Trenov, inxhinierin përgjegjës të projektit dhe përfaqësues të kompanisë realizuese, ishin në terren në fshatrat Cërvicë dhe Kolibar të Kërçovës, për të gjetur zgjidhje lidhur me pengesat që kanë vonuar përfundimin e sistemit të ujitjes në këtë zonë.
Projekti, i cili është ndër më të rëndësishmit për bujqësinë në rajon, synon të sigurojë ujë për vaditje për qindra familje që merren me bujqësi në këtë zonë me potencial të lartë prodhues.
Deri më tani janë përfunduar rreth 85% e punimeve, ndërsa pas diskutimeve me përfaqësuesit lokalë dhe banorët, u arrit dakordësi për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe vazhdimin e realizimit të projektit deri në përfundim.
Ministria e Bujqësisë falënderon në veçanti bashkësitë lokale të Cërvicës dhe Kolibarit për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar për të qenë pjesë aktive e zgjidhjes.
Ky projekt është pjesë e angazhimeve strategjike të Ministrisë në përmirësimin e infrastrukturës bujqësore dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të bujqve në zonat rurale, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë prodhuese dhe përmirësimin e jetës në fshat.