Vendi po shënon përparim të konsiderueshëm në hartimin e “Draft - Strategjisë Kombëtare për Menaxhim Adaptiv të Peizazheve dhe Zjarreve në Nivel Peizazhi”.
Takimi i Rrjetit Kombëtar për Menaxhim të Zjarreve në Nivel Peizazhi mblodhi mbi 40 ekspertë nga institucione shtetërore, organizata kërkimore, shoqëria civile, institucione shkencore e arsimore, agjenci dhe palë të tjera të interesuara.
E organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave si bartëse kryesore, në bashkëpunim me Qendrën Rajonale për Monitorimin e Zjarreve Pyjore, ky takim ishte pjesë e aktiviteteve të Programit për Menaxhim të Zjarreve në Nivel Peizazhi në Ballkanin Perëndimor, të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e cila është aktive tashmë dy vjet e gjysmë.
Në hapje të takimit, Udhëheqësi i Sektorit për Pylltari dhe Gjueti, z. Jordan Zdravkovski, përshëndeti pjesëmarrësit me një fjalë hyrëse, duke theksuar rëndësinë e angazhimit aktiv të Rrjetit Kombëtar për Menaxhim të Zjarreve, rëndësinë e këtij dokumenti strategjik, si dhe bashkëpunimin dhe përpjekjet e përbashkëta koordinuese në menaxhimin e zjarreve.
“Takimi i sotëm paraqet një moment kyç në përpjekjet tona për zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse dhe efektive për menaxhimin e peizazheve dhe zjarreve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në një kohë kur ndryshimet klimatike janë gjithnjë e më të theksuara dhe rreziku nga zjarret vazhdimisht rritet, nevoja për një qasje adaptive në menaxhimin e zjarreve bëhet prioritet i nivelit më të lartë për shtetin,” – theksoi ai.
Fjalë hyrëse pati edhe udhëheqësi i ekipit të Programit për Menaxhimin e Zjarreve në Nivel Peizazhi në Ballkanin Perëndimor, z. Cvetan Nikollovski, i cili iu referua arritjeve dhe rezultateve të deritanishme, si dhe aktiviteteve aktuale dhe atyre që pritet të vijojnë. Ai përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, duke u uruar sukses në punimet e takimit të Rrjetit Kombëtar për Menaxhimin e Zjarreve në Maqedoninë e Veriut.
“Programi për Menaxhim të Zjarreve në Nivel Peizazhi është aktiv që nga viti 2022, si në vendin tonë ashtu edhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Falë angazhimit tonë të përbashkët, janë përgatitur dokumente të rëndësishme siç është Raporti Kombëtar për Zjarret në Nivel Peizazhi, udhëzimet përkatëse, si dhe analiza kombëtare e mangësive në menaxhimin e zjarreve në nivel peizazhi. Aktualisht, në fazën përfundimtare është edhe hartimi i Strategjisë Kombëtare për Menaxhim Adaptiv të Peizazheve dhe Zjarreve.
Në vendin tonë, Programi mbështet tre projekte të vogla dhe një projekt ndërkufitar, të cilët përfshijnë në mënyrë aktive komunitetin lokal në zgjidhjen e sfidave të menaxhimit të zjarreve në nivel lokal. Njëkohësisht, kemi përfshirë edhe botën akademike dhe studiuesit e rinj aktualisht kemi të angazhuar 10 studiues të rinj, prej të cilëve tre janë nga Maqedonia e Veriut dhe janë duke punuar në temat e diplomës dhe të magjistraturës të lidhura me aspekte të ndryshme të menaxhimit të zjarreve në peizazh.
Gjithashtu, dua të njoftoj se në kuadër të Programit dhe në bashkëpunim me partnerin tonë kombëtar – Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të fillojmë një fushatë afatgjatë për menaxhimin e zjarreve në nivel peizazhi, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin e zjarreve.”
Z. Bojan Mihajllovski, bashkëpunëtor kombëtar për Maqedoninë e Veriut nga Programi, prezantoi Draft - Strategjinë Kombëtare për Menaxhim Adaptiv të Peizazheve dhe Zjarreve në Nivel Peizazhi, duke vendosur bazat për diskutime të frytshme mes palëve të interesuara. Pjesëmarrësit dhanë vlerësime dhe sugjerime të çmuara të bazuara në ekspertizën dhe përvojën e tyre institucionale dhe operacionale.
Në pjesën e dytë të takimit, përmes sesioneve interaktive, pjesëmarrësit u përqendruan në përmirësimin e Draft - Planit të Veprimit të Strategjisë, si dhe sigurimin e përputhshmërisë me metodologjitë kombëtare për planifikimin strategjik. Nën udhëheqjen e ekspertit z. Aleksandar Karaev, grupet e punës identifikuan përgjegjësitë specifike, hapat praktikë për zbatim dhe mekanizmat për koordinim ndërmjet institucioneve.
Pjesëmarrësit u zotuan të vazhdojnë me një qasje të hapur dhe gjithëpërfshirëse në zhvillimin e Strategjisë për Menaxhim Adaptiv të Peizazheve dhe Zjarreve, dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional. Të gjitha palët e interesuara shprehën gatishmërinë për të kontribuar në fazat e ardhshme të krijimit të një qasjeje të unifikuar për menaxhimin e peizazheve dhe zjarreve në Maqedoninë e Veriut.
Ky takim paraqet një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të strategjive më efektive dhe të koordinuara në vend dhe kontribuon në ndërtimin e një qasjeje të integruar për menaxhimin e zjarreve në rajon.