Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, realizoi një takim me përfaqësuesit e Federatës Maqedonase të Peshkimit.
Në takim, nga ana e përfaqësuesve të Federatës Maqedonase të Peshkimit u prezantuan propozime për përmirësimin e Ligjit për peshkimin dhe akuakulturën. Po ashtu, u diskutua për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me lartësinë e çmimit të lejes shtetërore për peshkim rekreativ.
Sipas rregullativës ligjore ekzistuese, shfrytëzimi i peshkut nga ujërat e peshkimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut rregullohet me Ligjin për peshkimin dhe akuakulturën (“Gazeta Zyrtare e RMV-së” nr. 64/24), i miratuar më 13 mars 2024, si dhe me aktet nënligjore.
Sipas nenit 41 të këtij Ligji, lejet për peshkim rekreativ mund të jenë:
• leje shtetërore për të gjitha zonat rekreative (reviret) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me përjashtim të zonave atraktive; e njëjta ka vlefshmëri 365 ditë nga data e lëshimit, pra nuk është e lidhur me vitin kalendarik;
• leje vjetore për një zonë rekreative (revier) të caktuar;
• leje mujore për një zonë rekreative (revier) të caktuar;
• leje treditore për një zonë rekreative (revier) të caktuar ose zonë atraktive; dhe
• leje ditore për një zonë rekreative (revier) të caktuar ose zonë atraktive, për zonat atraktive, për një periudhë prej një viti.
Zgjedhja e lejes për peshkim rekreativ është ekskluzivisht e peshkatarit rekreativ, varësisht nga nevojat dhe interesat e tij.
Çmimin e lejeve për peshkim rekreativ e përcaktojnë shfrytëzuesit e peshkut, ndërsa përcaktimi i çmimit të lejes shtetërore është i rregulluar me nenin 42 të Ligjit për peshkimin dhe akuakulturën, ku parashihet se çmimi në nivel vjetor përcaktohet me Vendim të ministrit, në vlerë prej së paku një të pestës së pagës mesatare neto të paguar në vitin paraprak në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave.
Mjetet nga kompensimi për lëshimin e lejes shtetërore shpërndahen si vijon:
• 70% në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe
• 30% në llogarinë e shfrytëzuesve për peshkim rekreativ në territorin e komunës ku banon poseduesi i lejes.
Mjetet që paguhen në Buxhetin e RMV-së janë të destinuara për shtim të peshkut të ujërave të peshkimit pa koncesionar, për mbrojtje shtesë të ujërave të peshkimit dhe për mbrojtje ekologjike, përmes masave të parapara në programet vjetore për mbështetje financiare në peshkim dhe akuakulturë, të cilat i miraton Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave mbetet e hapur për dialog të vazhdueshëm me qëllim të menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave të peshkimit dhe avancimit të peshkimit rekreativ në vend.