“Grumbullimi i duhanit edhe këtë vit po realizohet në mënyrë të qetë”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në paraqitjen e tij në emisionin “Tema e Ditës” në Ditarin e RTM-së.
“Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit grumbullimi i duhanit po zhvillohet pa probleme. Deri dje, në nivel të gjithë territorit të shtetit, janë grumbulluar rreth 15 milionë kilogramë duhan”, deklaroi ministri Tripunovski.
Ai shtoi se sipas informatave të fundit, çmimi mesatar i grumbullimit është rreth 419,84 denarë për kilogram, që është gati 20 denarë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
“Pres që, nëse vazhdon kjo dinamikë, grumbullimi i duhanit nga prodhimi i vitit 2025 të përfundojë deri në fund të vitit”, shtoi ministri.
Ministri theksoi se grumbullimi po realizohet në një atmosferë të qetë dhe me kënaqësi, ndryshe nga vitet e kaluara kur kishte pakënaqësi nga ana e prodhuesve të duhanit. Kjo është një sinjal i qartë se viti i kaluar ishte një nga më të suksesshmit, ndërsa ky vit pritet të jetë edhe më i mirë.
Ai theksoi se Qeveria dhe Ministria po punojnë seriozisht për të siguruar prodhim të qëndrueshëm dhe parashikueshmëri në bujqësi.