Tripunovski: Në tremujorin e dytë shënojmë rritje prej 24,6% në blerjen dhe shitjen e produkteve bujqësore

Tripunovski: Në tremujorin e dytë shënojmë rritje prej 24,6% në blerjen dhe shitjen e produkteve bujqësore

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në një paraqitje në Ditari i RTM-së, theksoi se nëse do të kthehej sërish në fillim të vitit, do të punonte me të njëjtin ritëm dhe përkushtim në realizimin e projekteve dhe programeve të shumta të Ministrisë, me qëllim të qartë avancimin dhe forcimin e sektorit bujqësor.

“Vitit i jap vlerësim shumë pozitiv, me rezultate të rëndësishme dhe të matshme. Janë miratuar zgjidhje të rëndësishme ligjore, janë realizuar thirrje publike për rishpërndarjen e tokës bujqësore dhe të vendgjuetive, si dhe aktivitete për përshpejtimin e projekteve të lëna pas dore për një kohë të gjatë, konkretisht projekti me Bankën Botërore për ndërtimin e qendrave grumbulluese në Shkup dhe Strumicë, si dhe projekti i financuar me kredi nga një bankë gjermane për ndërtimin e sistemeve të ujitjes, të cilat janë në fazë të avancuar. Gjatë vitit 2026 do të fillojë edhe ndërtimi real i tyre”, sqaroi ministri Tripunovski.

Ai theksoi se nuk ka dështim në sektorin bujqësor, gjë që konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave.

“Në tremujorin e dytë, blerja dhe shitja e produkteve bujqësore arrijnë në 3,6 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 24,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Në tremujorin e tretë, blerja dhe shitja arritën 5,2 miliardë denarë, që është rritje prej 12%, përkatësisht rreth 10,4% krahasuar me vitin 2024. Këto shifra janë tregues i qartë se jemi dukshëm më të suksesshëm se vitin e kaluar”, theksoi ministri.

Ministri Tripunovski shtoi se trendet pozitive janë të dukshme edhe në aspektin e eksportit të produkteve bujqësore. Në periudhën janar–tetor, eksporti i ushqimit shënon rritje prej 5,5% krahasuar me vitin 2024. Te pijet dhe eksporti i duhanit është shënuar rritje madje prej 30%. Këto të dhëna janë tregues se jemi në rrugën e duhur drejt rikthimit dhe forcimit të bujqësisë maqedonase.

Accessibility Menu