Tripunovski: Uji do të lëshohet që sot, fermerët të jenë të qetë

Tripunovski: Uji do të lëshohet që sot, fermerët të jenë të qetë

„Sot në mëngjes mora informacion se ka pasur pakënaqësi lidhur me fillimin e sezonit të mbjelljeve në sektorin e prodhimit të orizit. Për këtë arsye, sot kam ardhur këtu për një takim pune me prodhuesit e orizit për të diskutuar mbi ujitjen dhe fillimin e mbjelljeve“, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, nga Çeshinovë–Obleshevë.

 

„Së bashku me drejtorin e SHA Ekonomia e Ujërave, që ka kompetencë për lëshimin e ujit nëpër fushat me oriz, jemi këtu mes fermerëve. Në mëngjes drejtori i Drejtorisë për Çështje Hidrometeorologjike më informoi se në ditët në vijim do të kemi reshje intensive, që do të thotë se gjendja hidrologjike do të përmirësohet“, sqaroi ai.

 

Ministri theksoi se së bashku me drejtorin e SHA Ekonomia e Ujërave do të diskutojnë me fermerët, pasi nga ana e tyre kishte kërkesë që zonat e larta dhe sipërfaqet me tokë të përshkueshme të mos mbillen me oriz, ndërsa pjesa tjetër të mbulohet me ujë.

 

„Informacioni që e ndamë së bashku me drejtorin dhe fermerët është se uji do të lëshohet që sot, në mënyrë që të respektohen afatet optimale, të cilat sipas shkencës thonë se mbjellja duhet të përfundojë deri më 15 maj. Prandaj, sa i përket përmbytjes së sipërfaqeve me ujë, pres që të mos ketë asnjë problem dhe fermerët duhet të jenë të qetë“, shtoi ministri.

Accessibility Menu