Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, gjatë paraqitjes në Lajmet e Alsat Televizionit foli për fushatën “Zëri që e dëgjojmë – më e mira e Maqedonisë”, duke theksuar se komunikimi i drejtpërdrejtë me bujqit ka rëndësi të madhe.
“Resori i bujqësisë domosdoshmërisht duhet të ketë komunikim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me bujqit. Kjo nënkupton diskutim për gjendjet aktuale dhe sfidat reale me të cilat ata përballen”, theksoi ministri.
“Ministria nuk mund të mbyllet në zyra dhe vetëm të krijojë politika. Përkundrazi, përmes dialogut të drejtpërdrejtë do të japim llogari për punën e bërë, do t’i sqarojmë masat aktuale, siç është Programi për mbështetje financiare në bujqësi, por edhe do t’i dëgjojmë bujqit”, shtoi ai.
Në kuadër të fushatës janë formuar dy ekipe të mëdha që do të vizitojnë mbi 30 komuna, si dhe gjashtë ekipe më të vogla që do të përfshijnë më shumë se 120 vendbanime. Njërin nga këto ekipe do ta udhëheqë edhe vetë ministri.
Fushata nis nesër me tribunën e parë në Komunën e Bosilovës, me fillim në ora 18:00, në Shtëpinë e Kulturës.