„Ai që sot dëshiron të paraqitet si shpëtimtar, në fakt është shkatërruesi më i madh i bujqësisë maqedonase“, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në seancën e sotme parlamentare.
Ministri theksoi se lënda e parë e dorëzuar në institucionet kompetente ka të bëjë me një kompani nga Strumica, e afërt me pushtetin e atëhershëm dhe opozitën e sotme. Në periudhën 2019–2022, kompania ka marrë 19 kontrata për qira të tokës bujqësore, me investim të parashikuar prej mbi 2.5 milionë eurosh. Administratori qëllimisht ka qenë nën 40 vjeç për t’u liruar nga pagesa e qirasë trevjeçare, ndërsa detyrimi për investim fare nuk është realizuar.
„Menjëherë pas marrjes së pushtetit u krye kontroll edhe te ky subjekt, i cili menaxhon me mijëra hektarë tokë bujqësore cilësore, dhe u konstatua se te mbi 11 kontrata investimi i obliguar nuk ishte realizuar. Kontratat nuk ishin ndërprerë, ndërsa subjekti ndërkohë ka shfrytëzuar mbi 485 mijë euro subvencione“, sqaroi ministri Tripunovski.
Ai kujtoi se ish-ministri Ljupço Nikollovski kishte për obligim të kryente kontrolle të rregullta, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nga foltorja e Kuvendit, ministri Tripunovski tregoi edhe një nga kontratat e dyshimta.
Ministri theksoi se edhe rasti i dytë ka të bëjë me abuzim të ndërlidhur me tokë bujqësore, kontrata e së cilës ishte ndërprerë në vitin 2021, por Ministria nuk kishte njoftuar Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Agjencinë e Kadastrës së Patundshmërive, edhe pse kjo është detyrim ligjor.
„Për shkak të kësaj, kompania ka vazhduar të marrë subvencione. Në periudhën 2021–2023 ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 19 milionë denarë nga buxheti“, potencoi ministri.
Si rast të tretë, ministri përmendi ndarjen e paligjshme të granteve për mikropërpunuesit e verës në vitet 2022 dhe 2023.
„Ministria nuk ka kompetencë të ndajë grante. Për këtë ekziston Agjencia e Pagesave. Por ish-ministri ka ndarë në mënyrë të njëanshme mbi 80 milionë denarë përmes thirrjeve publike, në kundërshtim me procedurat, kriteret dhe ligjet“, tha Tripunovski.
Shtesë, komisionet që i kishin ndarë grantet kanë qenë të përbëra vetëm nga tre anëtarë, ndërsa kryetari i njërës prej tyre ka qenë edhe kryetar i komisionit partiak për bujqësi.
Ministri theksoi se Nikollovski ka kryer avancime partiake brenda Ministrisë, pa pëlqimin e Ministrisë së Financave, dhe pas largimit nga funksioni nuk e ka dorëzuar pajisjen teknike me vlerë mbi 300.000 denarë.
Si shembull të fundit, ministri Tripunovski e përmendi kredinë nga banka KfW në vlerë prej 90 milionë euro që ishte marrë në vitin 2019 për rikonstruksionin e sistemeve të ujitjes.
„Nga viti 2019 deri në 2024 nuk është ndërmarrë asnjë aktivitet. Për shkak të kësaj neglizhence, shteti ka paguar mbi 2 milionë euro vetëm për interesa. Ka qenë aq i fjetur ish-ministri dhe administrata e tij, saqë nuk e kanë formuar as njësinë e projektit, megjithëse kjo është detyrim ligjor“, përfundoi ministri.