“Në lidhje me pyetjen e dytë që parashtruat për Programin për naftë të gjelbër dhe Programin për ushqim të shëndetshëm, të cilat ju i keni iniciuar, dukshëm kemi konstatuar shumë anomali,” theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, gjatë seancës së sotme parlamentare duke iu përgjigjur një pyetjeje të deputetit.
“Pikërisht sa i përket Programit për naftën e gjelbër, duhet të jeni të ndershëm dhe të pranoni se ajo ishte një masë populiste që ju e keni vendosur. Krijuat kartela për të ashtuquajturën naftë të gjelbër me nga 300 – 400 denarë, e kushtonte më shumë të prodhohej kartela sesa të jepej një stimulim real për bujqit që të kompensojnë koston e prodhimit. Masa ishte më shumë populiste,” shpjegoi ministri.
Ai shtoi se kishte shumë kategori të bujqve që nuk ishin të përfshira në të ashtuquajturin Program për naftë të gjelbër.
“Ajo që nënkupton modifikim do të thotë llogaritje reale e sasisë së nevojshme të derivatit të naftës për çdo kulturë bujqësore. Kjo përfshin edhe duhanprodhuesit dhe blegtorët, sepse edhe ata duhet të përfitojnë stimulim,” nënvizoi ministri Tripunovski.
“Sa i përket Programit për ushqim të shëndetshëm, nuk e kuptoj pse u përpoqët ta hapni këtë çështje, kur si ministër në kohën tuaj, gjatë zbatimit të programit ishim dëshmitarë që fëmijët në vend të ushqimit të shëndetshëm merrnin produkte bujqësore të kategorisë së dytë apo të tretë,” theksoi ministri Tripunovski duke iu drejtuar Nikolovskit.
Ministri shtoi se modifikimi që duhet të bëhet është përfshirja e produkteve organike. Nëse synimi është që fëmijët të ushqehen shëndetshëm, atëherë duhet të konsumojnë produkte organike. Në këtë mënyrë do të stimulohet edhe prodhimi organik.