Opozita të mos spekulojë, janë pezulluar vetëm rreth 50 kontrata që janë në fazë realizimi
“Pezullimi i procedurave është bërë nga ana jonë. Pas kontrollit të tërë procesit në Agjencinë për mjetet IPARD, realizimi do të vazhdojë”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në emisionin “Tema e ditës” në Televizionin Sitel.
Tripunovski i hodhi poshtë akuzat nga opozitarja LSDM se Bashkimi Evropian i ka suspenduar mjetet e programit IPARD.
“Ajo që e përhap opozita, se mjetet e IPARD-it do të ndalohen, se do të humbasim fondet e ndara, e të ngjashme, nuk është e vërtetë,” theksoi ministri.
Ministri Tripunovski sqaroi se vetëm institucionet maqedonase po kryejnë verifikime për atë që ka ndodhur në Agjencinë e Pagesave.
“Për informim të opinionit, programi IPARD 3 është për periudhën 2021–2027 dhe në dispozicion janë vënë 128 milionë euro, të ndara në mënyrë të vazhdueshme për çdo vit për realizim. Nga programi IPARD 3 deri më tani janë nënshkruar 453 kontrata, të cilat janë në faza përfundimtare, ndërsa vetëm rreth 50 kontrata janë në fazë realizimi dhe aktualisht janë pezulluar për shkak të kontrollit,” sqaroi ai.
“Pas kontrollit do ta njoftojmë Brukselin dhe Agjencia do të vazhdojë me aktivitetet e rregullta. Në ditët në vijim do të emërojmë edhe drejtorin e ri të Agjencisë,” paralajmëroi ministri.
Në intervistën e tij, ministri Tripunovski shtoi: “Si ministër, prioriteti im i vetëm në këtë moment është puna në përputhje me ligjin, zgjidhja e problemeve të trashëguara nga pushteti i mëparshëm, përmirësimi i sektorit bujqësor si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë sonë. Çdo komunikim me drejtorë apo persona nga fusha e bujqësisë është në këtë drejtim. Por, kushdo që shkel ligjin, duhet të përgjigjet.”