Sot, në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ministri Cvetan Tripunovski u dorëzoi kontrata 54 shoqatave në vlerë të përgjithshme prej 10.094.050 denarësh, për aktivitete promovuese në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Maqedoni, me qëllim organizimin e manifestimeve dhe panaireve lokale.
“Qëllimi ynë si Ministri është të inkurajojmë shoqatat të organizojnë sa më shumë manifestime lokale, panaire dhe festivale, ku do të promovohen produktet tona maqedonase. Krahas ushqimit, do të mund të theksohen edhe fermat e vogla, prodhuesit dhe kooperativat. Pikërisht ky lloj ngjarjesh do të nxisë edhe ekonominë vendore,” theksoi ministri gjatë ndarjes së kontratave.
Ai shtoi se këto manifestime do të përfshijnë të gjitha rajonet e vendit, pasi çdo pjesë e Maqedonisë ka veçantitë dhe identitetin e vet.
“Ta afrojmë ushqimin tradicional me të rinjtë, vetëm në këtë mënyrë do ta ruajmë autenticitetin dhe identitetin tonë,” theksoi ministri Tripunovski
Në fjalën e tij, ministri shtoi se përmes organizimit të manifestimeve, festivaleve dhe panaireve produktet vendore do të mund të shijohen edhe nga turistët, duke i bërë kështu të njohura edhe në vendet tjera.
“Të punojmë së bashku, të bashkuar, dhe të bëhemi të njohur në rajon dhe botë për ushqimin cilësor maqedonas,” ishte mesazhi i tij.