Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, mori pjesë si panelist në Samitin Ballkanik 2026, të mbajtur më 20 tetor në Prishtinë, ku u diskutuan mundësitë për zhvillimin e sektorit agro-ushqimor, avancimin e teknologjive bujqësore dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit.
Në panelin kushtuar bujqësisë dhe industrisë agro-ushqimore, me temë “Nga toka ballkanike te raftet globale: bujqësia, agroteknologjia dhe përpunimi i ushqimit në shkallë të gjerë”, Hoxha diskutoi së bashku me përfaqësues nga Kosova dhe Shqipëria për potencialin e përbashkët të rajonit dhe mundësitë për një sektor bujqësor më konkurrues.
Gjatë diskutimit, zëvendësministri Hoxha theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë potencial të konsiderueshëm bujqësor, por se shfrytëzimi më i mirë i tij kërkon bashkëpunim më të ngushtë, investime në teknologji, modernizim të prodhimit dhe zhvillim të kapaciteteve përpunuese.
“Bashkëpunimi rajonal nuk duhet të kufizohet vetëm në shkëmbimin tregtar. Ai duhet të krijojë kushte për investime të përbashkëta, transferim të teknologjisë, rritje të kapaciteteve prodhuese dhe qasje më të lehtë në tregjet ndërkombëtare. Duke bashkuar potencialet tona, mund ta bëjmë rajonin më tërheqës për investitorët dhe produktet tona më konkurruese në tregjet e huaja”, theksoi Hoxha.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe sigurisë ushqimore, standardeve të cilësisë dhe harmonizimit të legjislacionit me kërkesat e Bashkimit Evropian. Hoxha nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore dhe shërbimet veterinare, si parakusht për rritjen e besimit të konsumatorëve dhe lehtësimin e qarkullimit të produkteve agro-ushqimore.
Ai theksoi gjithashtu se zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë kërkon mbështetje për fermerët, nxitje të investimeve private, modernizim të mekanizimit bujqësor dhe krijim të kushteve që prodhimi vendor të gjenerojë vlerë më të lartë të shtuar.
Në këtë drejtim, Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të një bujqësie moderne, konkurruese dhe të orientuar drejt standardeve evropiane, duke e konsideruar bashkëpunimin me vendet fqinje si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të rajonit.
Pjesëmarrja në Samitin Ballkanik 2026 ishte një mundësi për shkëmbimin e përvojave, identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit dhe promovimin e potencialit të sektorit agro-ushqimor të Maqedonisë së Veriut.