Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, vizitoi fermën blegtorale të Shaban Nuhijës, në bjeshkët mbi fshatin Gurguricë, në Malin e Thatë, në rajonin e Pollogut, ku së bashku me dy djemtë e tij, Nexhbedinin dhe Kujtimin, merret me mbarështimin e deleve dhe prodhimin organik.
Familja Nuhija mbarështon rreth 900 krerë dele dhe posedon certifikatë për prodhim organik, duke dëshmuar se tradita shumëvjeçare e blegtorisë mund të zhvillohet në përputhje me standardet bashkëkohore të prodhimit.
Gjatë vizitës, zëvendësministri Hoxha u njoh nga afër me punën e përditshme të kësaj familjeje, kushtet e mbarështimit dhe sfidat me të cilat përballen blegtorët në zonat malore.
Hoxha vlerësoi përkushtimin e familjes Nuhija, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditës blegtorale, përfshirjes së brezave të rinj në këtë veprimtari dhe zhvillimit të prodhimit vendas.
“Familje si kjo e Shaban Nuhijës janë shembull i punës së ndershme dhe i përkushtimit ndaj blegtorisë. Me 900 krerë dele dhe prodhim organik të certifikuar, ata jo vetëm që ruajnë traditën familjare, por japin edhe një kontribut të rëndësishëm në prodhimin vendas. Veçanërisht na gëzon fakti që edhe dy djemtë e tij vazhdojnë këtë veprimtari”, theksoi zëvendësministri Hoxha.
Vizita ishte gjithashtu një mundësi për të diskutuar drejtpërdrejt me blegtorët për nevojat e tyre dhe rëndësinë e mbështetjes së sektorit të blegtorisë, si pjesë e zhvillimit të bujqësisë dhe ekonomisë rurale.