Me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, të siguruar përmes Programit qeveritar për mbështetje financiare të zhvillimit rural për vitin 2026, shoqata „Makfresh“ dhe njëmbëdhjetë kompanitë e saj anëtare marrin pjesë në panairin prestigjioz ndërkombëtar Fruit Attraction 2026, i cili mbahet nga 6 deri më 8 tetor në Madrid, Spanjë.
Pas paraqitjes së përbashkët të prodhuesve nga vendi qëndron edhe një histori interesante e ndërrimit të gjeneratave, vazhdimit të bizneseve familjare dhe ndërtimit të besimit ndërmjet kompanive. „Makfresh“ është një shoqatë relativisht e re, e cila bashkon një pjesë të prodhuesve dhe eksportuesve më të mëdhenj vendas të pemëve dhe perimeve të freskëta. Si partner ekonomik i Ministrisë dhe përfituese e mbështetjes, shoqata lidh ofertën vendase me mundësitë që hapin tregjet ndërkombëtare.
„Makfresh“ është themeluar nga gjenerata e dytë e prodhuesve. Pjesa më e madhe e kompanive anëtare sot drejtohen nga njerëz të rinj dhe të arsimuar, të cilët kanë vazhduar dhe avancuar bizneset e krijuara nga prindërit e tyre. Përvojën e fituar ndër vite e plotësojnë me njohuri të reja, qasje bashkëkohore në punë dhe me ambicien që prodhimet vendase të arrijnë te më shumë blerës. Historia e tyre tregon se bujqësia mund të jetë hapësirë për zhvillim profesional, sipërmarrje dhe një perspektivë afatgjatë për të rinjtë.
Veçanërisht domethënëse është se kjo gjeneratë e ka njohur vlerën e bashkimit. Kompani që në segmente të caktuara janë konkurrente kanë arritur të ndërtojnë një raport bashkëpunimi me një synim të përbashkët: pozicion më të fuqishëm në tregun ndërkombëtar. Paraqitja e përbashkët mundëson fuqi më të madhe negociuese, ofertë më të gjerë, cilësi më të njëtrajtshme dhe produkte më konkurruese. Secila kompani ruan identitetin e saj, ndërsa së bashku mund t'u përgjigjen në mënyrë më bindëse kërkesave të blerësve të mëdhenj për sasi, cilësi dhe vazhdimësi të furnizimit.
Pikërisht në këtë frymë, në stendën e përbashkët të prodhuesve nga vendi ofertën e tyre e prezantojnë „Baxho“, „Hortena“, „Agro Gurmesh“, „Stenlej“, „Agro Kalem“, „Agro Kav-Komerc“, „Turan“, „Organiko“, „Fresh Line“, „Eco Fresh Product“ dhe „Vittoria Fruit“. Prania e tyre në Madrid është mundësi për krijimin e kontakteve të reja afariste, forcimin e partneriteteve ekzistuese dhe hapjen e mundësive të reja për eksport.
Fruit Attraction, i organizuar nga IFEMA MADRID dhe FEPEX, është një nga panairet kryesore botërore për tregtinë e pemëve dhe perimeve. Edicioni i tij i 18-të këtë vit bashkon rreth 2.500 kompani ekspozuese nga 78 vende, ndërsa pritet të vizitohet nga 121.000 profesionistë nga më shumë se 150 vende. Në një vend takohen prodhues, eksportues, importues, distributorë dhe përfaqësues të zinxhirëve të mëdhenj tregtarë, duke e bërë panairin një mjedis të rëndësishëm afarist për krijimin e bashkëpunimeve.
Për anëtarët e „Makfresh“, kontakti i drejtpërdrejtë me blerësit është mundësi për të prezantuar ofertën e tyre dhe për të mësuar se çfarë kërkon tregu: cilat produkte janë më të kërkuara, çfarë standardesh priten dhe si duhet të organizohen paketimi dhe dërgesat. Takimet e këtilla ndihmojnë në planifikimin më të mirë të prodhimit dhe plasmanit, si dhe në ndërtimin e marrëdhënieve afariste mbi baza afatgjata.
Panairin e vizituan edhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe drejtori i NP „AGRO BURSA“, z. Mevludin Avdija. Mbështetje për ekspozuesit nga vendi, me praninë e tij, dha edhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Mbretërinë e Spanjës, z. Edmond Ademi. Prania e tyre nënvizon rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe diplomacisë ekonomike në hapjen e mundësive për kompanitë vendase.
Promovimi në panairet ndërkombëtare e bën ofertën vendase më të dukshme dhe krijon kushte për plasman më të sigurt, rritje të eksportit dhe të ardhura më të mira për kompanitë dhe bujqit me të cilët ato bashkëpunojnë. Përmes mbështetjes së paraqitjeve të këtilla, Qeveria dhe Ministria investojnë në lidhjen e prodhimit vendas me kërkesën ndërkombëtare.
Historia e „Makfresh“ përcjell edhe një mesazh më të gjerë: të ardhmen e bujqësisë në vend e ndërtojnë edhe njerëzit që marrin përsipër përvojën familjare, e avancojnë atë me njohuri dhe zgjedhin të bashkëpunojnë. Paraqitja e tyre e përbashkët në Madrid tregon se si ky vendim merr formë konkrete – produkte vendase, të prezantuara së bashku para blerësve nga e gjithë bota.