Zëvendësministri Bexheti hapi zyrtarisht ngjarjen “Zinxhiri i shkurtër i furnizimit: Dieta mesdhetare, kuzhina tradicionale e bazuar në përbërës me origjinë bimore me aktivitet të lartë antioksidues dhe përfitime shëndetësore,” organizuar nga Ambasada Italiane. Në këtë ngjarje mori pjesë Ambasadori i Italisë, Sh.T. Andrea Silvestri, si dhe Prof. Paola Valdinoçi, nutricioniste dhe këshilltare shkencore për nutricionin.
Gjatë hapjes, zëvendësministri theksoi rëndësinë e mbështetjes së bujqësisë lokale dhe politikave që fuqizojnë ekonominë, ruajnë traditat dhe promovojnë një sistem të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm ushqimor. Ai vuri në dukje ndikimin e drejtpërdrejtë të këtyre politikave te bujqit dhe te qytetarët.
Në vijim, Prof. Paola Valdinoçi prezantoi përfitimet e zinxhirëve të shkurtër të furnizimit në ruajtjen e freskisë së produkteve ushqimore, qëndrueshmërinë e praktikave bujqësore dhe ndikimet pozitive të dietës mesdhetare në shëndet.
Ngjarja shërbeu si platformë për shkëmbimin e ideve dhe ekspertizës, duke nxitur rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar. Në përmbyllje, zëvendësministri falënderoi Ambasadën Italiane për organizimin dhe Prof. Paola Valdinoçin për kontributin e saj në thellimin e njohurive mbi qëndrueshmërinë dhe zinxhirët e shkurtër të furnizimit.