Për herë të parë Maqedonia është nikoqire e Kampionatit Botëror të Peshkimit Sportiv të Krapit. Mavrova këto ditë ka mbledhur peshkatarë sportivë nga 33 shtete të Evropës, Azisë, Afrikës dhe Amerikës.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, së bashku me zëvendësdrejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Mevlan Morina.
Hoxha theksoi se organizimi për herë të parë i një ngjarjeje të këtij niveli në Maqedoni është i rëndësishëm për peshkimin sportiv, por njëkohësisht paraqet një mundësi të madhe për promovimin e Mavrovës, bukurive natyrore dhe turizmit sportiv e ekologjik të vendit.
Ministria e Bujqësisë, së bashku me Federatën e Peshkimit, Inspektoratin Shtetëror të Bujqësisë dhe Parkun Kombëtar “Mavrova”, ka qenë pjesë e përgatitjeve dhe mbështetjes së kampionatit. Në periudhën paraprake janë realizuar edhe disa procese të ripopullimit të Liqenit të Mavrovës me peshq, duke kontribuar në krijimin e kushteve për zhvillimin e garës.
Kampionati vazhdon në ujërat e Liqenit të Mavrovës, ndërsa pjesëmarrësve nga e gjithë bota u mbetet urimi më i mirë i peshkatarëve: peshkim të mbarë, grepa plot dhe kujtime të bukura nga Mavrova!