Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, vizitoi kompaninë "Nelkoski Organic Food" (ZAUM Organic) në fshatin Drasllajcë, Strugë, ku u njoh nga afër me procesin e përpunimit të lajthisë, pajisjet moderne dhe zgjidhjet teknologjike që kompania zbaton në veprimtarinë e saj.
Gjatë vizitës, ai inspektoi të gjithë procesin e përpunimit - nga selektimi, klasifikimi, larja, pjekja dhe grirja, deri te paketimi i produktit final, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare për cilësi dhe siguri ushqimore.
Kompania bashkëpunon me mbi 60 fermerë nga rajone të ndryshme të vendit, ndërsa rreth 85% të prodhimit e eksporton në tregjet e huaja. Përmes bashkëpunimit me partnerë nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe organizata të tjera ndërkombëtare, "Nelkoski Organic Food" përfaqëson një shembull të suksesshëm të lidhjes së prodhimit vendor me tregjet ndërkombëtare.
Hoxha theksoi se zhvillimi i kapaciteteve përpunuese është me rëndësi të veçantë për rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë, krijimin e vlerës së shtuar dhe sigurimin e një tregu më të qëndrueshëm për fermerët.
Ai nënvizoi se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të vazhdojë të mbështesë investimet që nxisin modernizimin e sektorit, rritjen e prodhimit dhe orientimin e bujqësisë drejt produkteve me vlerë më të lartë dhe potencial eksporti.