Hoxha në terren pas stuhisë: Jemi pranë fermerëve dhe do të ndjekim nga afër pasojat e motit të lig

Hoxha në terren pas stuhisë: Jemi pranë fermerëve dhe do të ndjekim nga afër pasojat e motit të lig

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, mbrëmjen e djeshme vizitoi rajonin e Shkupit për të parë nga afër një pjesë të dëmeve të shkaktuara nga stuhia që përfshiu disa zona.

Gjatë vizitës në terren, ai u njoh me gjendjen aktuale dhe pasojat e para në sipërfaqet bujqësore, duke theksuar se institucionet do të vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të jenë në komunikim të vazhdueshëm me fermerët dhe institucionet kompetente.

"Çdo dëm në prodhimin bujqësor është goditje e drejtpërdrejtë për familjet që jetojnë nga puna në tokë. Në këto momente është e rëndësishme të jemi pranë fermerëve, të dëgjojmë nevojat e tyre dhe të veprojmë me përgjegjësi," theksoi Hoxha.

Ministria e Bujqësisë apelon që fermerët rregullisht t'i ndjekin njoftimet zyrtare të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, veçanërisht platformën Agrometeo, e cila ofron parashikime meteorologjike dhe agrometeorologjike, paralajmërime dhe informacione të rëndësishme për planifikimin e aktiviteteve bujqësore.

Informacioni i saktë dhe në kohë ndihmon fermerët të ndërmarrin masa parandaluese dhe të zvogëlojnë pasojat e kushteve të pafavorshme atmosferike.

Ministria mbetet e përkushtuar të jetë në krah të fermerëve dhe të ofrojë mbështetje institucionale në përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore.

Accessibility Menu