Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Maqedonisë së Veriut, Albrim Hoxha, zhvilloi një takim pune në Tiranë me zëvendësministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Arian Jaupllari, dhe përfaqësues të ministrisë. Gjatë vizitës, Hoxha pati edhe një takim të shkurtër me zëvendësministrin Fatmir Guri.
Biseda u përqendrua te menaxhimi i përbashkët i peshkimit në Liqenin e Ohrit dhe në Prespë. Palët diskutuan për ruajtjen e troftës së Ohrit, koordinimin në zbatimin e strategjisë për menaxhimin e ngjalës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të dy vendeve.
Një nga temat e takimit ishte edhe riaktivizimi i punës së Komitetit të Përbashkët të Peshkimit për Liqenin e Ohrit dhe Prespës, për të koordinuar masat dhe shkëmbimin e të dhënave.
Hoxha theksoi se mbrojtja e pasurisë së përbashkët natyrore dhe menaxhimi i qëndrueshëm i peshkimit kërkojnë bashkëpunim të vazhdueshëm mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.