Sot, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, mori pjesë në një ngjarje ku u ndanë rezultatet e projektit “Forcimi i menaxhimit të kooperativave bujqësore për përmirësimin e konkurrencës në sektorin bujqësor – kooperativa bujqësore konkurruese”, i cili është në fazën përfundimtare, dhe është i financuar nga programi IPA i BE-së.
Gjatë fjalimit të tij, ministri deklaroi se pas realizimit të aktiviteteve të parashikuara të projektit, pritet përmirësimi i konkurrencës së kooperativave bujqësore në sektorin bujqësor të vendit, përmes promovimit të bashkëpunimit mes bujqve, duke përfshirë edhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe grave në zhvillimin e bujqësisë.
Ai shtoi se është zhvilluar dhe promovuar një model që do të forcojë bashkëpunimin mes bujqve dhe kooperativave bujqësore, që do të rezultojë me krijimin e kooperativave të reja ose me rritje të numrit të bujqve anëtarë në kooperativat ekzistuese.
“Që nga marrja e detyrës si ministër, jam angazhuar për forcimin e kooperativave bujqësore, sepse pikërisht ato janë një formë bashkimi përmes së cilës bujqit mund të bëhen më konkurrues dhe më të njohur në treg”, theksoi ministri Tripunovski.
“Në këtë drejtim u ndryshua Ligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, dhe u miratua edhe ‘Rregullorja për formën, përmbajtjen, mënyrën e regjistrimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe fshirjen nga evidenca e kooperativave bujqësore’, me të cilën do të rregullohet procedura e regjistrimit të kooperativave bujqësore në Evidencën e Kooperativave Bujqësore që mbahet në Sektorin për Zhvillim Rural, në Njësinë për Kooperativa Bujqësore”, theksoi ministri.
Ministri falënderoi, në emër të Qeverisë, Delegacionin e Bashkimit Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në reformimin e sektorit bujqësor, me qëllim që ai të forcohet dhe të mund të përballojë sfidat që vijnë nga paqëndrueshmëria e ekonomisë botërore, ndryshimet klimatike dhe trendet socio-demografike.