Maqedonia ka shënuar përparim të dukshëm në zhvillimin e “Draft – Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin Adaptiv të Peizazheve dhe Menaxhimin e Zjarreve në Nivel Peizazhi”. Takimi i nëntë i Rrjetit Kombëtar për Menaxhimin e Zjarreve në Nivel Peizazhi mblodhi mbi 35 ekspertë nga më shumë se 25 institucione qeveritare, organizata kërkimore, shoqëria civile, institucione arsimore-shkencore, agjenci dhe institucione të tjera.
Ngjarja u organizua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si bartëse kryesore e procesit të hartimit të Strategjisë, në kuadër të aktiviteteve të Programit për Menaxhimin e Zjarreve në Nivel Peizazhi në Ballkanin Perëndimor, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e cila aktivisht vepron gjatë tre viteve të fundit.
Në hapje të takimit, udhëheqësi i sektorit për pylltari dhe gjueti, z. Jordan Zdravkovski, në fjalën e tij përshëndetëse uroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe theksoi rëndësinë e punës aktive të Rrjetit Kombëtar për Menaxhimin e Zjarreve në Maqedoni, rëndësinë e këtij dokumenti strategjik, bashkëpunimin dhe përpjekjet e përbashkëta koordinuese në menaxhimin e zjarreve.
Fjalë hyrëse mbajti edhe udhëheqësi i ekipit të Programit për Menaxhimin e Zjarreve në Nivel Peizazhi në Ballkanin Perëndimor, z. Cvetan Nikollovski, i cili bëri një pasqyrë të arritjeve dhe rezultateve të deritanishme, si dhe të aktiviteteve aktuale dhe të ardhshme, duke i përshëndetur pjesëmarrësit dhe uroi një takim të suksesshëm të Rrjetit Kombëtar për Menaxhimin e Zjarreve në vend.
Bashkëpunëtori kombëtar i Programit për vendin, z. Bojan Mihajllovski, prezantoi “Draft – Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin Adaptiv të Peizazheve dhe Menaxhimin e Zjarreve në Nivel Peizazhi”, duke krijuar bazën për diskutime produktive mes palëve të interesuara. Pjesëmarrësit kontribuan me vërejtje dhe sugjerime të vlefshme, të bazuara në ekspertizën e tyre institucionale dhe përvojën operative.
Të gjithë pjesëmarrësit, palët e interesuara të Rrjetit Kombëtar për Menaxhimin e Zjarreve në Nivel Peizazhi në Maqedoni, shprehën gatishmëri për krijimin e një qasjeje të përbashkët, të bazuar në dëshmi shkencore, zbatim praktik dhe vullnet politik, me qëllim të një qasjeje të vetme të integruar në menaxhimin e zjarreve në nivel peizazhi në Maqedoni.