“Jam sot për vizitë në njësinë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave në Komunën e Prilepit. Qëllimi i vizitës është ndarja e kontratave nga Thirrja e fundit Publike për dorëzimin e ofertave për dhënien me qira të tokës bujqësore në pronësi shtetërore, të cilën Ministria e realizoi në muajin janar,” theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.
“Janë ndarë 192 kontrata për bujqit e këtij rajoni, me një sipërfaqe të përgjithshme afër 500 hektarë. Kjo tregon se ekziston një interes i vërtetë për këtë lloj thirrjesh nga bujqit individualë,” shtoi ministri.
Ai gjatë deklaratës së tij rikujtoi se, së bashku me thirrjet publike të vitit të kaluar dhe pesë thirrjet publike të realizuara këtë vit, janë shpërndarë afër 6.000 hektarë tokë bujqësore shtetërore. Janë lidhur mbi 2.100 kontrata.
“Interesi për të vënë në funksion tokën bujqësore shtetërore është më se i dukshëm. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë me aktivitete të tilla me qëllim që çdo pëllëmbë e lirë e tokës bujqësore të vihet në funksion,” sqaroi ministri.
Ministri Tripunovski shtoi se do të vazhdojnë edhe kontrollet në terren për të parandaluar keqpërdorimet.
“Sot do të bëj edhe inspektim të hapësirave të reja të njësisë rajonale. Jemi duke punuar për përmirësimin e kushteve të punës për të punësuarit në njësitë rajonale të Ministrisë,” theksoi ministri.