Të nderuar,
Gjatë ditëve të kaluara është shpallur Thirrja Publike nr. 02/2025 për dorëzimin e kërkesave për shfrytëzimin e mjeteve nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural për vitin 2025.
Kjo Thirrje Publike ka të bëjë me Masën 112 – “Ndihmë për bujqit e rinj për fillimin e veprimtarisë bujqësore”.
Thirrja është e dedikuar për bujq të rinj të moshës nga 18 deri në 40 vjeç, të cilët:
• për herë të parë fillojnë me veprimtari bujqësore;
• marrin në menaxhim një ekonomi bujqësore ekzistuese ose themelojnë një të re;
• dhe janë të regjistruar në Regjistrin e vetëm të ekonomive bujqësore gjatë 18 muajve të fundit.
Mbështetja maksimale financiare për çdo përfitues nga Masa 112 është 600.000 denarë, përkatësisht 100% e shpenzimeve të bëra.
Mjetet e parapara do të ndahen për periudhën e realizimit të planit të biznesit dhe do të paguhen një herë në vit, në maksimum tre këste. Gjithashtu, është paraparë pagesë paraprake deri në 40% të investimit të parashikuar.
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është data 09.05.2025.
Të nderuar,
Dua të theksoj se për aplikim në këtë Thirrje Publike për Masën 112 janë lehtësuar procedurat për përmbushjen e kritereve, me çka i dalim në ndihmë çdo të riu që dëshiron të përfshihet në procesin bujqësor. Gjithashtu i inkurajoj të gjithë të rinjtë të aplikojnë për këtë masë.
Qëllimi i Ministrisë dhe i Qeverisë është aktivizimi i të rinjve në sektorin e bujqësisë përmes një sërë masash. Pikërisht Masa 112 është njëra prej tyre, e cila do t’u ndihmojë të rinjve të aktivizohen dhe të fillojnë me prodhimtari bujqësore.
Kjo Thirrje Publike është vetëm një nxitje për të rinjtë tanë që të hyjnë në sektorin e bujqësisë dhe të vazhdojnë ta zhvillojnë prodhimin e ushqimit cilësor.
Energjia e re në bujqësi është e domosdoshme për të rritur prodhimin e ushqimit, me ç’rast do të bëhemi një vend eksportues i produkteve cilësore bujqësore dhe në këtë mënyrë do të jemi të njohur edhe më tej.
Ministria do të vazhdojë të punojë në një set masash që do t’i motivojnë të rinjtë të përfshihen në procesin e prodhimit të produkteve cilësore bujqësore.
Së bashku po punojmë për ta kthyer bujqësinë maqedonase dhe për ta bërë sërish një nga degët më të rëndësishme.