“Gjatë një vizite te një bujk i ri në fshatin Sopot të Kavadarit, e bëra publike çmimin e grumbullimit të rrushit për korrjen e vitit 2025. Janë respektuar të gjitha dispozitat ligjore nga ana e Ministrisë – nga publikimi i thirrjes publike, përzgjedhja e institucionit shkencor, deri te lidhja e kontratës me Institutin Bujqësor – Shkup. Instituti ka realizuar aktivitete në terren, anketim, hulumtime, grumbullim të të dhënave me qëllim që të përcaktojë çmimin e prodhimit për dy varietetet më të përhapura të rrushit të verës – Vranec dhe Smederevka”, theksoi ministri Tripunovski në emisionin “Otvoreno za” në një televizion lokal të Kavadarit.
“Çmimi i prodhimit është përcaktuar nga Instituti Bujqësor – Shkup, dhe sipas përllogaritjeve, çmimi i prodhimit për Vranec ishte 17 denarë për kilogram. “Nëse shtohen 25% si fitim për kultivuesit, kjo përbën rreth 4,3 denarë, pra çmimi përfundimtar që përfshin çmimin e prodhimit dhe shtesën prej 25% – është çmimi i grumbullimit për Vranec, i cili arrin në 21,3 denarë. Ndërsa për Smederevka, çmimi i prodhimit ishte rreth 15,1 denarë dhe me shtesën prej 25%, që është afërsisht 3,8 denarë, çmimi i grumbullimit për Smederevka është rreth 18,9 denarë”, sqaroi ministri Tripunovski.
Ai shtoi se në përcaktimin e çmimit të grumbullimit janë respektuar të gjitha dispozitat ligjore.
“Ftoj çdo bujk dhe çdo qytetar që ka nevojë për informacione mbi metodologjinë, të drejtohet në Institutin Bujqësor – Shkup. Të gjitha të dhënat lidhur me përcaktimin e çmimit të prodhimit dhe atij të grumbullimit për rrushin janë publike”, theksoi ministri.
Ministri Tripunovski theksoi se këtë vit pritet një sasi prej rreth 25 milionë kilogramë më shumë rrush në krahasim me vitin e kaluar.