Serafimovski dhe Muja: Lidhje më të fuqishme institucionale për rritjen e shkëmbimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Serafimovski dhe Muja: Lidhje më të fuqishme institucionale për rritjen e shkëmbimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Avancimi i bashkëpunimit në bujqësi dhe tregtisë me produkte bujqësore dhe ushqimore ishte temë e takimit të sotëm zyrtar të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, Armend Muja.

Dy ministrat theksuan rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të rregullt ndërmjet institucioneve kompetente për avancimin e bashkëpunimit bilateral, harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimit evropian.

Ministri Serafimovski theksoi se afërsia e tregjeve dhe potenciali i bujqësisë krijojnë bazë për thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve përmes bashkëpunimit më të fuqishëm institucional, rritjes së shkëmbimit tregtar dhe krijimit të partneriteteve afatgjata ndërmjet prodhuesve dhe kompanive të sektorit ushqimor.

“Për bujqit dhe kompanitë tona, kushtet e parashikueshme të tregtisë janë të rëndësishme për plasman të sigurt dhe planifikimin e prodhimit. Me koordinim të rregullt institucional dhe respektimin e standardeve të cilësisë krijojmë kushte për zhvillimin e shkëmbimit tregtar. Në një bashkëpunim të tillë shohim interes të përbashkët për prodhuesit, kompanitë dhe konsumatorët në të dy vendet”, theksoi ministri Serafimovski.

Ministri Muja theksoi rëndësinë e një qasjeje sistematike në bashkëpunimin bilateral, përmes së cilës prioritetet e përbashkëta do të shndërrohen në punë të vazhdueshme të shërbimeve kompetente dhe në shkëmbim profesional ndërmjet dy ministrive.

“Prioriteti ynë është ta forcojmë dhe strukturojmë bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive, me kontakte të rregullta institucionale dhe kanale të qarta komunikimi, duke avancuar njëkohësisht bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, harmonizimit të certifikatave dhe standardeve, si dhe integrimit evropian”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Republikës së Kosovës, Armend Muja.

Zëvendësministri Albrim Hoxha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet organeve kompetente, me theks të veçantë në tregtinë e qumështit dhe produkteve të qumështit.

“Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona duhet të jetë i drejtpërdrejtë, i shpejtë dhe i bazuar në besim të ndërsjellë. Kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore, veçanërisht për qumështin dhe produktet e qumështit që tregtohen ndërmjet dy vendeve, është e rëndësishme që çdo çështje të shqyrtohet në bazë të dokumentacionit të plotë, rezultateve laboratorike dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet organeve kompetente. Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: mbrojtja e konsumatorëve dhe, njëkohësisht, krijimi i kushteve për tregti të sigurt dhe të pandërprerë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, deklaroi zëvendësministri Albrim Hoxha.

Në takim morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, dhe drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Ivica Angelovski.

Accessibility Menu