Komisioni Evropian (KE), në Raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026, veçon miratimin e Ligjit të ri për prodhimin organik, Planin Kombëtar për Përdorimin e Qëndrueshëm të Pesticideve dhe Planin Kombëtar për Menaxhimin e Ngjalës, si hapa konkretë që kontribuojnë në përparimin e fushave përkatëse.
Në pjesën që i referohet bujqësisë dhe zhvillimit rural, KE-ja evidenton vazhdimin e harmonizimit të politikës bujqësore me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe përditësimin e Strategjisë Kombëtare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021–2027, në shkurt të këtij viti. Ligji i ri për prodhimin organik, i cili hyri në fuqi në mars të vitit 2026, veçohet në mënyrë të posaçme si kontribut në përparimin e këtij kapitulli.
Maqedonia e Veriut ka një nivel të mirë përgatitjeje në fushat e sigurisë ushqimore, politikës veterinare dhe fitosanitare, vlerëson KE-ja. Komisioni i referohet gjithashtu aktiviteteve të nisura për mbrojtjen e integruar nga dëmtuesit në dy rajone pilot, zhvillimit të mëtejshëm të sistemit informativ fitosanitar dhe përditësimit të rregullt të listës së organizmave të dëmshëm, në përputhje me rregullat e BE-së dhe gjendjen në vend.
KE-ja thekson gjithashtu se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kryer auditime të rregullta të laboratorëve në fushën e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore, ndërsa në shumicën e fushave ka vepruar në përputhje me standardet e menaxhimit të cilësisë. Komisioni ka miratuar programin kombëtar të monitorimit për vitin 2026 për mbetjet e barnave veterinare dhe kontaminuesit, i cili përfshin disa kategori produktesh, ndër të cilat mishin, qumështin, vezët dhe mjaltin. Njëkohësisht, në raport konstatohet një nivel i avancuar i harmonizimit të legjislacionit kombëtar me rregullat e BE-së në fushën e mirëqenies së kafshëve.
Në fushën e peshkimit dhe akuakulturës, KE-ja evidenton përparim, veçanërisht përmes miratimit të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Ngjalës, i cili përcakton masa për ruajtjen e saj dhe uljen e vdekshmërisë së shkaktuar nga aktivitetet njerëzore. Gjithashtu, evidentohen vazhdimi i masave për mbrojtjen e llojeve të ndjeshme të peshqve, aktivitetet për ripopullimin e ujërave me troftën e Ohrit, si dhe intensifikimi i aktiviteteve për zbatimin e dispozitave ligjore në fushën e mbikëqyrjes inspektuese dhe kontrollit.
Sa i përket zhvillimit rural, raporti thekson vazhdimin e zbatimit të programit IPARD III, si dhe masat e ndërmarra nga institucionet kombëtare, përfshirë zbatimin e një plani veprimi për përmirësimin e realizimit të programit.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave mbetet e përqendruar në përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra dhe zbatimin e reformave të nevojshme, përmes aktiviteteve konkrete për realizimin e rekomandimeve të Raportit dhe monitorimit të rregullt të përparimit të arritur.