Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, vizitoi rajonin e Pollogut, ku nga afër ndoqi ecurinë e korrjes së grurit dhe zhvilloi takime me fermerë për të diskutuar mbi rezultatet dhe sfidat e këtij sezoni.
Gjatë vizitës, Hoxha theksoi se gruri mbetet një nga kulturat strategjike të bujqësisë në vend dhe ka një rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë ushqimore.
"Në sezonin prodhues 2025/2026 janë mbjellë mbi 63 mijë hektarë me grurë, ndërsa prodhimi i pritshëm vlerësohet në rreth 221 mijë tonë. Edhe pse sezoni u karakterizua nga kushte të pafavorshme klimatike, rezultatet e deritanishme të korrjes janë inkurajuese dhe dëshmojnë përkushtimin e fermerëve tanë", deklaroi Hoxha.
Ai theksoi se vizitat në terren janë pjesë e angazhimit të Ministrisë për të qenë në komunikim të vazhdueshëm me prodhuesit bujqësorë dhe për të identifikuar nevojat reale të sektorit.
"Korrja është momenti kur vlerësohet puna e bërë gjatë gjithë vitit. Fermerët meritojnë respekt për përkushtimin e tyre dhe Ministria do të vazhdojë të ndërtojë politika që mbështesin prodhimin vendor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë", tha Hoxha.
Në kuadër të vizitës, u ndoq nga afër procesi i korrjes me mekanizim modern dhe u zhvilluan biseda me fermerët mbi gjendjen aktuale të prodhimit të grurit në rajonin e Pollogut.