Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, mori pjesë si panelist në Balkan Summit 2026, të mbajtur në Prishtinë, ku diskutoi për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të sektorit agro-ushqimor, me fokus te menaxhimi i ujërave, potenciali eksportues dhe tërheqja e investimeve.
Në panelin kushtuar bujqësisë dhe industrisë ushqimore, Hoxha theksoi se ndryshimet klimatike, periudhat gjithnjë e më të shpeshta të thatësirës dhe infrastruktura e vjetruar e ujitjes kërkojnë investime të vazhdueshme në modernizimin e sistemeve ekzistuese dhe përdorimin më efikas të burimeve ujore.
“Prioriteti ynë është rehabilitimi i sistemeve të ujitjes, zvogëlimi i humbjeve të ujit dhe përdorimi i teknologjive bashkëkohore. Ujitja precize dhe monitorimi digjital janë të rëndësishëm për të siguruar kushte më të qëndrueshme për fermerët dhe investitorët”, theksoi Hoxha.
Duke folur për eksportet, zëvendësministri theksoi se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor tregtar i vendit në sektorin agro-ushqimor. Gjatë vitit 2024, eksportet e produkteve bujqësore dhe ushqimore drejt BE-së arritën rreth 422 milionë euro, ose 49,3% të eksporteve të përgjithshme të sektorit.
Potencial të konsiderueshëm për zgjerimin e eksporteve kanë pemët dhe perimet e freskëta dhe të përpunuara, vera, produktet organike, mjalti dhe prodhimet blegtorale, duke respektuar standardet përkatëse evropiane.
“Synimi ynë nuk është vetëm rritja e eksporteve, por edhe krijimi i vlerës më të lartë të shtuar përmes investimeve në përpunim, magazinim, paketim dhe certifikim, në mënyrë që një pjesë më e madhe e vlerës ekonomike të mbetet te fermerët dhe në ekonominë vendase”, u shpreh Hoxha.
Në diskutimin për mundësitë e investimeve, ai theksoi rëndësinë e procedurave transparente, informimit për disponueshmërinë e tokës dhe ujit, si dhe koordinimit ndërmjet institucioneve. Sipas tij, investitorët duhet të kenë një pasqyrë të qartë për mundësitë e investimit, procedurat administrative dhe mekanizmat e mbështetjes financiare.
“Qëllimi ynë është që investitori të mos humbasë kohë duke kërkuar se ku duhet të drejtohet, por të ketë një rrugë të qartë institucionale për realizimin e projektit të tij”, theksoi zëvendësministri.
Pas përfundimit të Samitit, organizatorët i dërguan zëvendësministrit Hoxha një letër falënderimi, në të cilën veçuan kontributin e tij në trajtimin e menaxhimit të ujërave si pjesë thelbësore e diskutimit për zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë ushqimore.
Balkan Summit 2026 mblodhi mbi 900 pjesëmarrës nga më shumë se 10 vende, përfshirë përfaqësues të institucioneve qeveritare, kompanive, agjencive zhvillimore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Edicioni i ardhshëm i Samitit është paralajmëruar të mbahet në Tiranë, nga 14 deri më 16 tetor 2027.