Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Ekonomisë së Ujërave, Romeo Trenov, dhe udhëheqësin e sektorit, Bojan Durnev, kanë zhvilluar një takim pune me Kryetarin e Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi.
Në fokus të takimit ishte projekti për ndërtimin, rikonstruksionin dhe modernizimin e sistemit të ujitjes Shishovë–Gërçec–Krushopek, si dhe rëndësia e realizimit të tij të suksesshëm. Në takim u bisedua për përfitimet konkrete që ky projekt do të sjellë për sektorin e bujqësisë, veçanërisht për rritjen e efikasitetit të ujitjes dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët e zonës.
Zëvendësministri Hoxha theksoi se projekte të tilla janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe për forcimin e ekonomisë lokale, duke siguruar menaxhim më të mirë të burimeve ujore dhe rritje të prodhimtarisë bujqësore.