Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, vizitoi Njësinë Rajonale të Ministrisë në Bogovinë, ku mori pjesë në shpërndarjen e kartelave të naftës së gjelbër për bujqit e kësaj komune.
Për bujqit e Bogovinës janë siguruar gjithsej 251 kartela, në vlerë të përgjithshme prej 2.076.162 denarësh, në kuadër të masave për mbështetjen e prodhimit bujqësor.
Kjo masë synon uljen e shpenzimeve për karburantin që përdoret në mekanizimin bujqësor, duke lehtësuar kostot e prodhimit dhe duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për ekonomitë bujqësore.
Gjatë vizitës, zëvendësministri Hoxha theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për bujqit dhe përmirësimit të kushteve për prodhim bujqësor.