Sot, në hapësirat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave po zhvillohet provimi i gjuetisë, ku po marrin pjesë kandidatët nga Shkupi dhe rrethina, si dhe të gjithë ata që ndërkohë kanë dorëzuar kërkesë për provim dhe ata që nuk e kanë kaluar në seancat e kaluara.
Në periudhën e kaluar, mbi 400 gjuetarë kanë pritur për të dhënë provimin e gjuetisë, gjë që u bë e mundur në tre muajt e fundit. U formua një Komision Profesional për dhënien e provimit të gjuetisë, i cili gjatë këtyre tre muajve ka mbajtur gjithsej 8 seanca provimi në Shën Nikollë, Ohër, Strumicë, Vinicë, Tetovë, Gostivar, Prilep dhe Kumanovë. Në këto seanca kanë marrë pjesë edhe gjuetarë nga qytetet e tjera përreth, duke mbuluar kështu tërë territorin e Maqedonisë.
Gjatë kësaj periudhe kanë dhënë provimin 453 kandidatë, prej të cilëve 382 e kanë kaluar, ndërsa 71 nuk e kanë kaluar.
Komisioni planifikon gjithashtu të mbajë një seancë provimi për kandidatët që janë me punë të përkohshme jashtë vendit dhe do të vijnë për festat e fundvitit. Kjo seancë do të caktohet para ose pas Vitit të Ri, në varësi të numrit të kandidatëve të paraqitur.
Të gjithë kandidatët që janë me punë të përkohshme jashtë vendit dhe që tashmë kanë dorëzuar Kërkesën për provim, mund të paraqiten në adresën elektronike të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave - info@mzsv.gov.mk.
Ata që nuk kanë dorëzuar ende Kërkesën për provim, duhet ta dorëzojnë atë në arkivin e ministrisë, së bashku me dokumentacionin përcjellës.
Të gjitha dokumentet e nevojshme që duhen dorëzuar, së bashku me materialet për përgatitjen e provimit, janë publikuar në faqen zyrtare të internetit - https://www.mzsv.gov.mk/.