Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, së bashku me zëvendësministrin Albrim Hoxha dhe sekretaren shtetërore Nadica Xherkovska, zhvilluan një takim pune me përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Stefano Ellero, udhëheqës i bashkëpunimit, Ewout Sandker, udhëheqës i sektorit të operacioneve, dhe Margarita Deleva, menaxhere e programeve. Në takim u diskutua për modernizimin e sektorit bujqësor dhe mbështetjen evropiane për proceset reformuese.
Vëmendje e veçantë iu kushtua digjitalizimit, si një pjesë e rëndësishme e përmirësimit të funksionimit institucional dhe shërbimeve për bujqit. Gjatë bisedës u theksua rëndësia e thjeshtësimit të procedurave dhe shfrytëzimit më të mirë të të dhënave për planifikimin dhe zbatimin e politikave bujqësore.
Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për mbështetjen e Bashkimit Evropian në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin e bujqësisë vendase me standardet evropiane. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për programin IPARD, si instrument për mbështetjen e investimeve në bujqësi dhe zhvillim rural. U theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Delegacionin e BE-së, me qëllim orientimin më efikas të mbështetjes së disponueshme drejt nevojave zhvillimore të sektorit.
Ministri Serafimovski riafirmoi përkushtimin ndaj integrimit evropian, duke theksuar se reformat në bujqësi duhet të sjellin përfitime të dukshme për prodhuesit. Në këtë drejtim, ai e ndërlidhi harmonizimin me politikat evropiane me krijimin e institucioneve më funksionale, rritjen e parashikueshmërisë për ekonomitë bujqësore dhe krijimin e mundësive më të mira për zhvillimin e tyre.