Sot, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimkovski, ishte pjesë e një punëtorie këshilluese për formulimin e një strategjie për zvogëlimin e mbetjeve dhe mbeturinave ushqimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Punëtoria është pjesë e projektit rajonal të FAO-s për bashkëpunim teknik me titull "Strategjitë për zvogëlimin e mbetjeve dhe mbeturinave ushqimore" i zbatuar në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Organizatën e shoqërisë civile: Ajde Maqedoni.
Mbetjet dhe mbeturinat ushqimore janë një problem i madh dhe kompleks që prek drejtpërdrejt politikat kombëtare dhe politikat të korporatave, burimet natyrore, ndryshimin klimatik, ekonomitë dhe tregjet, sjelljen dhe kulturën e njerëzve, kushtet sociale, teknologjinë, infrastrukturën dhe investimet. Shpesh Republika e Maqedonisë së Veriut vendoset në listën e regjistruesve rekord për humbje ushqimore dhe mbeturinave ushqimore, ndërsa në të njëjtën kohë përballet me problemin e sigurimit të ushqimit të mjaftueshëm për kategoritë e cenueshme sociale. Numrat janë shumë shqetësues dhe tregojnë se 460,000 banorë në vendin tonë nuk kanë qasje të përhershme në ushqim.
Republika e Maqedonisë së Veriut, së bashku me Shqipërinë, Armeninë dhe Moldavinë, është pjesë e këtij projekti rajonal të FAO-s, i cili në nivel kombëtar, ndihmon vendet në zhvillimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare për zvogëlimin e mbetjeve dhe mbeturinave ushqimore, të përshtatura për nevojat specifike të vendit dhe të harmonizuara me legjislacionin përkatës, strategjitë kombëtare dhe politikat për bujqësinë, sigurinë e ushqimit, zbutjen e ndryshimeve klimatike, etj.
"Republika e Maqedonisë së Veriut, përkundër situatës së saj sociale dhe ekonomike, nuk dallohet nga vendet e zhvilluara, domethënë ka një prirje rritëse në humbjet tona ushqimore. Rreth 30% e ushqimit të prodhuar ose importuar në Maqedoninë e Veriut nuk konsumohet asnjëherë pasi që prishet menjëherë pas korrjes, gjatë transportit, ose si ushqim i hedhur nga zinxhirët tregtar të mëdhenj dhe konsumatorët ”, tha Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Trajan Dimkovski, në hapjen e punëtorisë. Ai shtoi se ky është një fakt shqetësues, i cili tregon qartë rëndësinë e problemit dhe nevojën për politika të harmonizuara, duke ndërmarrë veprime në të gjitha nivelet e shoqërisë. Ministri Dimkovski shprehu besim se ky projekt po zbatohet në kohën e duhur dhe është në përputhje me një nga prioritetet strategjike të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për zgjidhjen e kësaj çështje, e cila është një nga problemet më të mëdha ekonomike dhe sociale në vendin tonë.
Gjatë vitit 2019, FAO në bashkëpunim me MBPEU, si dhe organizatën qytetare Ajde Maqedoni, përfshinë një numër të madh institucionesh si dhe përfaqësues të sektorit privat në mënyrë që të japin një pasqyrë të qartë të situatës së mbetjeve dhe mbeturinave ushqimore në Maqedoni, arsyet e paraqitjes si dhe identifikimin e masave dhe politikave që do të ndihmojnë në zvogëlimin e këtyre mbetjeve duke zhvilluar paralelisht një sistem të dhurimit të ushqimit të tepërt.
Qëllimi global i Kombeve të Bashkuara për zvogëlimin e mbeturinave ushqimore me 50% deri në vitin 2030 ka bërë që shumë vende të ndërmarrin aktivitete për të zvogëluar mbeturinat ushqimore dhe shfrytëzimin e ushqimit për ta dhuruar për kategoritë më të rrezikuara të popullsisë, të cilat do të kontribuojnë shumë në luftën kundër varfërisë dhe urisë. Ky projekt rajonal është pjesë e një programi gjithëpërfshirës për zvogëlimin e mbetjeve ushqimore në rajon, i menaxhuar nga Zyra Rajonale e FAO-s për Evropën dhe Azinë Qendrore, nën kujdesin e Iniciativës Globale për mbetjen e ushqimit dhe zvogëlimin e mbeturinave ushqimore – RUAJ USHQIM (SAVE FOOD).