Thirrje për pjesëmarrje në tender për shërbime konsulente për konsolidimin e tokës në Maqedoninë e Veriut - Planifikimi i shpërndarjes së tokës dhe Projekti bazë për ndërhyrje në infrastrukturën bujqësore në Çiflik

16.1.2023 16:50:00


Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian "Avancimi i konsolidimit të tokës në Maqedoninë e Veriut", i bashkëfinancuar dhe zbatuar nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO) ka shpallur tender publik (Numri i referencës: 2023/CSAPC/REUDD /120213) për ofrimin e shërbimeve konsulente për "Konsolidimin e tokës në Maqedoninë e Veriut - Planifikimi i shpërndarjes së tokës dhe Projekti bazë për ndërhyrje në infrastrukturën bujqësore në Çiflik".

Aktivitetet që do të kryhen në kuadër të këtij tenderi përfshijnë hartimin dhe zbatimin e një Plani të rishpërndarjes së tokës dhe hartimin e ndërhyrjeve në infrastrukturën bujqësore në zonën e konsolidimit të Çiflikut. Më konkretisht, kontraktori duhet të bëjë vlerësimin e vlerës së tokës bujqësore në Çiflik, në përputhje me Ligjin për Vlerësimin dhe Metodologjinë për Vlerësimin e Pasurive në Bujqësi; hartimin e Planit për shpërndarjen e tokës, sipas parimit të shpërndarjes me ndryshim të kufijve, në përputhje me Ligjin për Konsolidimin e Tokës Bujqësore; hartimin e Projektit bazë për rehabilitimin/ndërtimin e infrastrukturës bujqësore në Çiflik, në përputhje me Ligjin për Ndërtim, Ligjin për Tokën Bujqësore dhe ligjet e tjera përkatëse; hartimin e Elaboratit gjeodezik për evidentimin e gjendjes së re të pronësisë në Agjencinë e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme dhe të kryejë shënimin e matjeve dhe kufijve   (rrethimin) të parcelave të reja në zonën e konsolidimit.

Ofertues potencial mund të jenë të gjitha shoqëritë e regjistruara në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve të Konsolidimit të Tokës të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave (MBPMU), të cilët zotërojnë licencën B për projektim të lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL) të Maqedonisë së Veriut dhe janë të licencuara nga MTL për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme ose nga MBPMU për vlerësimin e aseteve në bujqësi.

Për të pasur qasje në dokumentet e tenderit dhe për të qenë në gjendje të paraqesin një ofertë, kompanitë e interesuara duhet së pari të regjistrohen në portalin e Tregut Global të Kombeve të Bashkuara - United Nations Global Marketplace (UNGM) në:   www.ungm.org/ Vendor/Registration , pasi vetëm kompanitë e regjistruara do të kenë të drejtë të marrin pjesë.  Pas regjistrimit të suksesshëm, kompanitë do të kenë mundësi të qasen në dokumentet e tenderit dhe të paraqesin ofertat e tyre përmes të njëjtit portal të UNGM(  www.ungm.org/Account/Account/Login  ).

Afati i fundit për dorëzimin e ofertës elektronike për tenderin është 20 shkurt (e hënë) 2023, jo më vonë se ora 13:00, koha e Evropës Qendrore.

Më shumë informacion:

Zona e konsolidimit të Çiflikut gjendet në komunën Çeshinovë-Obleshevë, në rajonin lindor. Ajo mbulon 156 hektarë (ha) tokë bujqësore, e ndarë në 1 263 parcela toke, me formë të parregullt dhe madhësi mesatare prej 0,12 ha, në pronësi të 438 pronarëve të tokave. Çifliku karakterizohet nga një terren kryesisht i rrafshët me tokë bujqësore pjellore dhe kushte të favorshme natyrore për prodhimin dominues të orizit. Nisma për konsolidimin e tokës në Çiflik erdhi nga pronarët lokal, të cilët shprehën interesin për konsolidimin e tokës në MBPMU në vitin 2017, dhe zona u zgjodh si e përshtatshme për konsolidim në vitin 2018, në kuadër të projektit të BE-së MAINLAND. 

Në fazën e parë në procesin e konsolidimit të tokës, është kryer Studimi i fizibilitetit për konsolidimin e tokës në Çiflik në periudhën shkurt - korrik 2019. Studimi ekzaminoi tokën bujqësore dhe strukturën e prodhimit bujqësor në Çiflik, situatën me pronësinë e tokës, të gjitha çështjet aktuale pronësore dhe ligjore, vlerësoi interesin dhe angazhimin e pronarëve të tokave për të marrë pjesë në konsolidimin e tokës, preferencat e tyre individuale, si dhe nevojat lokale për të përmirësuar infrastrukturën bujqësore. Bazuar në analizën e detajuar, u gjykua se konsolidimi i tokës në Çiflik është i realizueshëm dhe se shumica dërrmuese e pronarëve të regjistruar të tokave janë të interesuar për këtë proces. Bazuar në studimin e fizibilitetit, hapi tjetër do të jetë planifikimi i shpërndarjes së tokës në Çiflik, sipas parimit të shpërndarjes me ndryshim kufijsh (Faza II e procesit të konsolidimit) dhe projektimi i ndërhyrjeve në infrastrukturën bujqësore - rehabilitim /ndërtimi i infrastrukturës bujqësore (rrugët hyrëse, kanalet kulluese dhe vaditëse) në zonën e konsolidimit (Faza III e procesit të konsolidimit të tokës).

Rreth projektit të BE-së "Avancimi i konsolidimit të tokës në Maqedoninë e Veriut"

Duke u mbështetur drejtpërdrejt në rezultatet e projektit MAINLAND, ky projekt synon të mbështesë MBPEU-në në avancimin e konsolidimit të tokës në Maqedoninë e Veriut, duke përmirësuar politikën nacionale për konsolidimin e tokës, duke përfshirë kornizën strategjike, ligjore dhe institucionale, si dhe në zbatimin e mëtejshëm të Programi Nacional të Konsolidimit të Tokës, nëpërmjet zbatimit të plotë të projekteve të konsolidimit në dy zona, së bashku me ndërtimin e infrastrukturës bujqësore. Buxheti i projektit është 1.2 milionë euro - financuar përmes Instrumentit të BE-së IPA II 2019 (1 milionë euro) dhe kontributit të FAO (0.2 milionë euro). Projekti do të zbatohet në një periudhë 42 mujore, nga gushti 2022 deri në janar 2026.

Share


Hën
Mar
Mër
Enj
Pre
Sht
Die

Zgjidh datën