Ministrat Hoxha dhe Nuredini gjatë takimit në Ankara: Krijojmë mundësi për investime të reja dhe bashkëpunim në fushën e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e potencialit pyjor

20.1.2021 15:00:00


Një delegacion qeveritar i udhëhequr nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, sot në Ankara realizuan takim pune me Ministrin e Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë Bekim Pakdemirli.

Në kuadër të kësaj vizite, janë nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi midis Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë në fushën e menaxhimit të ujërave dhe pyjeve, si dhe një Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e politikës veterinare dhe sigurisë ushqimore.

Të dy vendet në fushën e menaxhimit të ujërave do të bashkëpunojnë në drejtim të menaxhimit të qëndrueshëm të resurseve ujore, përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimit të mundësive për investime të reja, si dhe përmes zbatimit të projekteve të përbashkëta do të kontribuojnë në mbrojtjen dhe përdorimin e potencialit pyjor. Marrëveshja e nënshkruar në fushën e Sigurisë Ushqimore rregullon kompetencat dhe detyrimet e të dy vendeve për sa i përket importit, eksportit dhe tranzitit të ushqimit dhe kafshëve, në mënyrë që të përmbushë standardet e sigurisë dhe legjislacionin përkatës.
Në takim, Ministrat Hoxha dhe Nuredini theksuan se edhe në kushtet e pandemisë globale, tregtia midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, për gjatë vitit 2020, ka qenë në rritje, indikacion që është bazë e mirë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme ekonomike midis dy vendeve.

Ministri turk Pakdemirli nënvizoi se Republika e Turqisë mbetet një mbështetëse besnike e zhvillimit të përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se dokumentet e nënshkruara do të vendosin interesin e ndërsjellë dhe kornizën e fushave dhe formave të reja të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit.

Takimi i sotëm është konfirmim i gatishmërisë së dy vendeve mike për të rritur intensitetin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave midis institucioneve, për të stimuluar interesin e sektorit privat për investime afatgjata në partneritete strategjike për zhvillim të qëndrueshëm.

Share