Në sallën e ndërtesës komunale në Prilep, dje pasdite, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha, realizoi takim me Këshillin Inicues të prodhuesve të pakënaqur të duhanit dhe me Unionin e Shoqatave të Duhanit.
Në një atmosferë të tensionuar, prodhuesit e duhanit shprehën pakënaqësinë e tyre për mosrespektimin e marrëveshjes së arritur ditën e premte, nga ana e kompanive grumbulluese, si dhe shprehën edhe pakënaqësitë e tyre me vlerësimin e duhanit. Ministri Hoxha i informoi prodhuesit e duhanit për takimin e realizuar dje, i cili u mbajt së bashku me Kryeministrin Zaev dhe kompanitë grumbulluese. Ai, gjithashtu i informoi prodhuesit e duhanit edhe për sasinë aktuale të blerë dhe çmimin mesatar të blerjes.
"Fatkeqësisht, ajo që thashë edhe publikisht të premten nuk u respektua nga asnjë prej blerësve më të mëdhenj dhe normalisht revolta e prodhuesve të duhanit është rritur. Prandaj, unë menjëherë erdha sot këtu në Prilep, me kërkesën e tyre, për t'u dakorduar se si të vazhdojnë punët mëtutje. Këshilli Inicues, si kundërpërgjigje ndaj mospërmbushjes së marrëveshjes nga takimi i të premtes në Shkup, do të vazhdojë me organizimin e protestave, duke bllokuar rrugën Shkup - Prilep. Pra, ata do të vazhdojnë të protestojnë, por procesi i grumbullimit do të vazhdojë të zhvillohet normalisht,", tha Ministri Hoxha.
Ministri Hoxha edhe një herë apeloi për përmbajtje dhe respektim të marrëveshjes së arritur midis të dy palëve, ditën e premte.
Gjithashtu është njoftuar edhe një takim tjetër për ditën e premte, në të cilën do të marrin pjesë të dy palët, në mënyrë që të bëhet e njohur sasia e duhanit të blerë për këtë javë. Këto numra do të sigurojnë një bazë të fortë për diskutim dhe analizë.