Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha, së bashku me Drejtorin e Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi Zoran Sapuriq, realizuan sot takim pune me Unionin e Shoqatave të Duhanit, me Këshillin Nismëtar të prodhuesve të pakënaqur të duhanit dhe me përfaqësuesit e kompanive grumbulluese.
Është arritur marrëveshje e përbashkët për t'i dhënë fund protestave. Të gjitha pikat e grumbullimit të vazhdojnë me grumbullimin e duhanit dhe të gjitha pikat tjerat të hapen në përputhje me afatin ligjor, e që është 15 dhjetori.
"Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit përqindja e grumbullimit të duhanit është shumë e vogël, vetëm 1.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku u grumbulluan 40% e sasisë së dakorduar, kjo gjë paraqet një pamje shqetësuese. Por ne tashmë kemi sinjale pozitive, përfaqësuesit e këshillit të prodhuesve të duhanit që protestuan dolën të kënaqur nga takimi. Ndërprerja e protestave është sinjal pozitiv dhe mund të them se kemi një marrëveshje fillestare," tha Ministri Hoxha.
Ministri kërkoi nga drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, që inspektorët të jenë të pranishëm me kontrolle të intensifikuara, për të monitoruar grumbullimin dhe për të vepruar ligjërisht për të gjitha parregullsitë e evidentuara.
Prodhuesit e duhanit duhet të vazhdojnë të dërgojnë duhanin në pikat grumbulluese dhe të gjithë ata që do të jenë të pakënaqur me klasën e vlerësuar të duhanit, të thërrasin komisionin e shkallës së dytë.
Ministri apeloi për durim dhe besim midis të gjithë pjesëmarrësve në proces. Një takim tjetër i përbashkët është planifikuar për të premten e ardhshme në Prilep për të vlerësuar nëse është arritur përmirësim në procesin e grumbullimit të duhanit nga korrja e këtij viti.